KOMENT – Zelensky: Ukraina do t’i prezantojë SHBA-së planin e fitores

KIEV, 28 gusht /ATSH/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi se inkursioni i trupave në rajonin rus të Kurskut ishte pjesë e një plani fitoreje, që ai do t’ia paraqesë presidentit amerikan, Joe Biden, muajin e ardhshëm, sipas BBC.
Presidenti Zelensky tha se suksesi i planit do të varet nga presidenti Biden dhe nëse SHBA do t’i jepte apo jo Ukrainës “atë që është në këtë plan dhe nëse do të jemi të lirë ta përdorim këtë plan apo jo”.
”Mund të tingëllojë shumë ambicioze për disa, por është një plan i rëndësishëm për ne”, shtoi ai duke theksuar se planin do t’ua tregonte edhe kandidatëve për president të SHBA-së Kamala Harris dhe Donald Trump.
Një numër trupash ukrainase bënë një inkursion në rajonin e Kurskut, në fillim të gushtit dhe Rusia deri më tani nuk ka qenë në gjendje t’i zmbrapsë ato.
Duke folur në të njëjtin forum, komandanti i lartë ushtarak i Kievit, gjenerali Oleksandr Syrskyi, tha se Ukraina tani kontrollon 1 294 km2 të territorit rus dhe 100 vendbanime – megjithëse këto shifra nuk janë verifikuar.
Gjenerali Syrskyi tha se Ukraina nuk kishte ndërmend të mbante territorin dhe se një motiv për inkursionin ishte të largonte forcat ruse nga ofensiva e tyre në Ukrainën lindore.
Rusia po kërkon të pushtojë qytetin e Pokrovsk, i cili është një qendër e rëndësishme dhe shtëpia e një stacioni kryesor hekurudhor.
Presidenti Zelensky zbuloi gjithashtu se Ukraina kishte kryer së fundmi testin e parë të suksesshëm të një rakete balistike të prodhimit vendas.
Ai përgëzoi industrinë e mbrojtjes së vendit të tij, por nuk pranoi të ndajë më shumë detaje rreth raketës.
Edhe pse Ukraina ka përdorur tashmë disa raketa balistike kundër Rusisë që janë ofruar nga SHBA, ajo ka punuar për të zhvilluar prodhimin vendas të pajisjeve ushtarake për të zvogëluar varësinë e saj nga ndihma perëndimore.
Megjithatë, tani për tani, Ukraina mbështetet kryesisht në furnizimet ushtarake nga jashtë për të luftuar Rusinë dhe për të zmbrapsur sulmet e saj.
Në forum, presidenti Zelensky tha se Ukraina kishte përdorur disa avionë luftarakë ”F-16” të sapoardhur të dërguar nga vendet perëndimore për të kapur disa nga raketat e lëshuara nga Rusia ditët e fundit – por se vendit do t’i duheshin më shumë avionë.
Për dy netët e fundit, Rusia ka goditur Ukrainën me një breshëri sulmesh me dronë dhe raketa, të cilat kanë lënë të vdekur disa njerëz dhe kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në zona të ndryshme të vendit.
”Sulmet e tilla tregojnë se Moska nuk ka ndërmend ta ndalë luftën”, tha presidenti Zelensky.
Megjithatë, që nga inkursioni i Kurskut, Rusia ka sinjalizuar se nuk do të angazhohet në asnjë bisedë paqeje me Ukrainën.
“Tema e negociatave për momentin ka humbur paksa rëndësinë e saj”, tha të martën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov./ a.jor.