KORE E JUGUT – Ish-presidenti Yoon dënohet me pesë vjet burg

SEUL, 16 janar /ATSH-DPA/- Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol u dënua sot me pesë vjet burg për pengim të drejtësisë.
Gjykata e Qarkut Qendror të Seulit njoftoi se konservatori 65-vjeçar, me ndihmën e shërbimit të sigurisë presidenciale, ishte përpjekur të parandalonte arrestimin e tij duke fshirë shumë dokumente që lidheshin me hetimin kundër tij.
Yoon tronditi kombin duke vendosur ligjin e luftës më 3 dhjetor 2024, mes një mosmarrëveshjeje për buxhetin me opozitën, duke e zhytur vendin në një krizë politike.
Ai e justifikoi masën drastike si të nevojshme për të mbrojtur rendin demokratik të Koresë së Jugut dhe akuzoi opozitën e majtë se ishte infiltruar nga komunistë me lidhje me Kinën dhe Korenë e Veriut, megjithëse nuk dha prova për këto pretendime.
Në një gjyq të veçantë, prokurorët kanë kërkuar dënimin me vdekje për Yoon me akuzat për nxitje të dhunës, me një vendim që pritet më 19 shkurt.
Ndërsa dënimi me vdekje mbetet ligjërisht në fuqi në Korenë e Jugut, ai nuk është ekzekutuar për gati 30 vjet.
Veprimet e Yoon më parë i alarmuan investitorët ndërkombëtarë dhe çuan në ndalimin e investimeve, duke dëmtuar reputacionin e Koresë së Jugut si një model politik dhe ekonomik për rajonin.
Që nga vera e kaluar, Koreja e Jugut është udhëhequr nga presidenti Lee Jae Myung, një centrist i majtë dhe rival politik i Yoon prej kohësh. //a.i/