KORE E JUGUT – Seuli: Ushtarët e Koresë së Veriut kaluan sërish kufirin

SEUL, 21 qershor /ATSH-DPA/- Forcat e Koresë së Veriut kanë kaluar sërish vijën e demarkacionit ushtarak të fortifikuar me Korenë e Jugut – në incidentin e tretë të tillë mes dy vendeve armiqësore në më pak se dy javë, tha sot Seuli.
Pasi patrullat kufitare të Koresë së Jugut qëlluan në shenjë paralajmëruese, ushtarët e Koresë së Veriut u tërhoqën menjëherë”, thanë Shefat e Shtabit të Përbashkët në Seul.
Sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut “Yonhap”, ushtarët u vëzhguan duke kryer punë ndërtimore brenda zonës së çmilitarizuar (DMZ).
“Koreja e Veriut ka dislokuar një numër të madh trupash në zonë për të kryer punë ndërtimore, duke përfshirë vendosjen e minave, ngritjen e mureve që supozohet se janë barriera antitank dhe rrugë përforcuese”, raportoi Yonhap.
Koreja e Jugut raportoi incidente të ngjashme në DMZ më 9 dhe 18 qershor. “Të tre incidentet dukej se ishin aksidentale”, tha Seuli.
Tensionet janë rritur përsëri përgjatë DMZ dhe kufirit detar që ndan dy kombet koreane.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të dy janë ende në gjendje lufte, pasi asnjë traktat paqeje nuk u nënshkrua në fund të Luftës së Koresë në 1953, pavarësisht afrimeve të herëpashershme.
Zona tampon, e cila është rreth 240 kilometra e gjatë dhe 4 kilometra e gjerë, u krijua në fund të luftimeve dhe formon kufirin aktual de fakto. //a.i/