E Enjte, 5 Nëntor 2026

KORE E JUGUT – Habeck viziton kufirin në Zonën e Çmilitarizuar DMZ

SEUL, 21 qershor /ATSH-DPA/- Zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck, i cili ndodhet në një vizitë në Korenë e Jugut, vizitoi sot kufirin e fortifikuar të vendit me Korenë e Veriut, ndërsa tensionet në gadishullin Korean janë në rritje.

Pas kthimit të tij nga zona kufitare, Habeck e krahasoi vijën e demarkacionit të Koresë me ish-kufirin që ndante Gjermaninë Perëndimore dhe Gjermaninë Lindore për disa dekada para përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Udhëtimi i politikanit gjerman në zonën kufitare vjen pas një vizite të Putinit në Phenian dy ditë më parë, ku ai dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un arritën një marrëveshje për ndihmën e ndërsjellë në rast të një sulmi nga një vend i tretë.

Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut ndahen nga një Zonë e Çmilitarizuar (DMZ) 4 kilometra e gjerë, e siguruar nga një komandë e OKB-së e udhëhequr nga SHBA-ja.

DMZ ende formon kufirin de facto midis dy vendeve, të cilat kanë mbetur në një gjendje lufte sipas ligjit ndërkombëtar që nga Lufta Koreane nga 1950 deri në 1953.

Zona tampon e fortifikuar, e cila është rreth 240 kilometra e gjatë, u krijua në të gjithë gadishullin Korean në fund të luftës.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm prej disa muajsh.

Ushtarët e Koresë së Veriut kaluan dje vijën kufitare – në incidentin e tretë të tillë midis dy vendeve armiqësore në më pak se dy javë, tha Seuli të premten.

Pasi patrullat kufitare të Koresë së Jugut qëlluan në shenjë paralajmëruese, ushtarët e Koresë së Veriut u tërhoqën menjëherë”, thanë Shefat e Shtabit të Përbashkët në Seul.

Administrata ushtarake i kishte ndaluar gazetarët të shoqëronin Habeck gjatë vizitës së tij në DMZ.

Delegacioni i tij tha se zëvendëskancelari ishte informuar nga një ushtar amerikan i komandës se OKB-së mbi historinë e kufirit dhe situatën e sigurisë në dhe në zonën e çmilitarizuar.

Ai vizitoi gjithashtu të ashtuquajturën kazermë blu – ku u ra dakord për armëpushimin në vitin 1953. Ndërtesa qëndron në vijën kufitare. Vizita u vëzhgua nga pala koreano-veriore.

Habeck, i cili shërben gjithashtu si ministër i Ekonomisë i Gjermanisë, mbërriti në Korenë e Jugut të mërkurën- si pjesë e udhëtimit diplomatik shumë-ditor në Azinë Lindore.

Ai po shoqërohet nga drejtues të biznesit gjerman si dhe ligjvënës nga parlamenti gjerman.

Habeck dhe delegacioni i tij kanë planifikuar të vazhdojnë sot vizitën në Kinë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›