E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KORE E JUGUT – Yoon kërkon ndjesë përpara votimit për shkarkim

SEUL, 7 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol kërkoi sot falje  për vendosjen e përkohshme të ligjit të luftës, përpara një votimi të pritshëm parlamentar për ta hequr atë nga detyra.

Ishte hera e parë që Yoon iu drejtua drejtpërdrejt publikut që kur ai shpalli papritur ligjin e luftës, të martën, vetëm për ta hequr atë disa orë më vonë përballë rezistencës dhe protestave masive politike.

Në një fjalim televiziv, Yoon premtoi se një ngjarje e tillë nuk do të ndodhte më nën udhëheqjen e tij.

“Më vjen sinqerisht keq dhe u kërkoj falje njerëzve që duhet të kenë qenë shumë të befasuar”, tha Yoon, raportoi agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap.

Ai deklaroi se do të “merrte përgjegjësinë e plotë ligjore dhe politike” për veprimet e tij dhe do t’ia linte partisë së tij qeverisëse të vendoste se sa kohë duhet të qëndrojë në detyrë.

”Lideri i partisë së Yoon, Partia e Pushtetit Popullor, Han Dong-hoon e ka përshkruar dorëheqjen e presidentit si të pashmangshme”, raportoi Yonhap.

”Yoon nuk ishte më në gjendje të kryente detyrat e tij në mënyrë efektive”, tha Han.

Ligjvënësit e Koresë së Jugut paraqitën një mocion për të fajësuar Yoon në vazhdën e trazirave.

Mocioni në Asamblenë Kombëtare pritet të votohet sonte.

Partia më e madhe opozitare kishte akuzuar më parë kreun konservator të shtetit për shkelje të kushtetutës dhe i bëri thirrje atij të jepte menjëherë dorëheqjen.

Të martën, Yoon befas bëri thirrje për vendosjen e ligjit të luftës duke akuzuar opozitën e vendit për simpatinë ndaj Koresë së Veriut dhe duke thënë se hapi synonte “çrrënjosjen e forcave pro koreane dhe mbrojtjen e rendit kushtetues të lirisë”.

Disa ditë më vonë, Yoon pranoi dorëheqjen e ministrit të tij të Mbrojtjes, Kim Yong Hyun, i cili thuhet se i kishte propozuar Yoon planet për ligjin e luftës.

Demonstrata kundër Yoon pritet të zhvillohen sot në Seul./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›