E Enjte, 5 Nëntor 2026

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Fatime Deçolli

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot se ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Fatime Deçolli, e cila ushtron veprimtarinë e saj në Gjykatën e Tiranës.

Në njoftimin për mediet, KPK bën të ditur se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 3 qershor për subjektin e rivlerësimit, Fatime Deçolli, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vendosi konfirmimin e saj në detyrë.

Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi relatore,  Etleda Çiftja anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Fatime Deçolli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve ’90 dhe ka punuar si gjyqtare dhe kryetare gjykate në Berat. Prej vitit 2010, Deçolli e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›