E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, Berisha i përgjigjet ambasadorit Arvizu: Respektoj mendimet e miqve, por zbatoj ligjin

ELBASAN- Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Elbasan, kryeministri Berisha komentoi thirrjen e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu për zgjidhjen në kuvend të ngërçit të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili po funksionon vetëm me 4 anëtarë.

Ndërsa theksoi se qeveria e tij ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri Berisha tha se i dëgjon me respekt mendimet e miqve, por në fund është i detyruar të zbatojë ligjet e vendit. Në këtë mënyrë kryeministri la të kuptohet se çështja e KQZ-së nuk do të diskutohet në seancën e kuvendit, e cila është thirrur për në 30 maj.

“Ligjet e Shqipërisë janë shumë të mira, unë dëgjoj me shumë respekt mendimet e miqve, por detyra ime është të zbatoj ligjin. Shqipëria ka institucione demokratike, janë larg të qenit të përsosura, por nuk ka zëvendësim për to. Kur fillojnë me bo gjykatësin kushtetues, gjykatësin e lartë apo të faktit, unë them se nuk respektojnë veten e tyre. Kushdoqoftë!. Ky është shtet i bazuar në ligje. Askush nuk ka mandat të interpretojë ligjet e një vendi tjetër, apo të marrë atributet, sepse mënyra sesi funksionojnë qeveritë e vendeve të lira është e mrekullueshme.”- tha kryeministri.

Lidhur me vizitën e pritshme të zyrtarit amerikan, Jonathan Moore, Berisha tha se kjo vizitë vjen si dëshmi e vlerësimit të interesit të SHBA-së për një Shqipëri që ecën drejt zhvillimit të integrimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuar në KQZ, e cila po funksionon vetëm me 4 anëtarë. Ambasadori Arvizu theksoi se shpreson që partitë politike të shfrytëzojnë mundësinë e mbledhjes së Parlamentit, qoftë për votimin e tre ligjeve apo situatën në KQZ. Javën e ardhshme në Tiranë pritet të mbërrijë sërish Drejtori për Europën Qendrore dhe jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.

Socialistët pretendojnë se ndërhyrja sipas tyre e dhunshme e shumicës me zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, mund të riparohet vetëm me një riformatim të Komisionit Zgjedhor. Por demokratët e kanë hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë procesin zgjedhor.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›