KQZ: Hetimi për Lezhën dhe Shkodrën për transparencë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njoftoi se përmbylli dje shqyrtimin administrativ të 41 ankimeve paszgjedhore paraqitur nga subjektet zgjedhore me objekt kundërshtimin e vendimeve të KQZ për miratimin e tabelave të rezultateve të zonave zgjedhore.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja Drilona Hoxhaj u shpreh se gjatë shqyrtimit të këtyre 41 kërkesave ankimore, KQZ shqyrtoi rast pas rasti problematikën sipas objektit të ankimit të paraqitur duke rrëzuar plotësisht 33 prej tyre.
“Vetëm për dy zona zgjedhore, KQZ nuk u kufizua në objektin e kërkimit të paraqitur nga subjektet zgjedhore, konkretisht për ankimet e paraqitura me objekt kundërshtimin e vendimit për tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Lezhë dhe për tabelën e rezultatit të Zonës Zgjedhore Qarku Shkodër. Mbi bazën e provave të administruara gjatë hetimit administrativ për këto 2 zona zgjedhore, shërbeu për KQZ, si indicje për thellimin e hetimit administrativ. KQZ, në këto dy raste, duke mos u kufizuar vetëm në objektin e kërkimit të paraqitur nga ankuesit, përdori autoritetin e plotë që i jep Kodi Zgjedhor për të adresuar ligjërisht, bazuar në përcaktimet e nenit 124 pika 6, në mënyrën më korrekte të mundshme, dhe me transparencën maksimale problemet e evidentuara, për të mos shmanguar deformimin vullnetit qoftë dhe të një zgjedhësi” theksoi ajo.
Sipas saj, edhe pse kjo veprimtari e KQZ-së, u shoqërua me interpretime të gjata dhe të përsëritura të ligjit, deklarata personale dhe politike, KQZ-ja ka zbatuar rolin e saj për administrimin e zgjedhjeve në mënyrë asnjanëse dhe efikase duke dhënë në fund edhe produktin e mirëpranuar nga të gjithë palët në proces.
“Ndërmarrja e kësaj veprimtarie të hetimit, thellimi i këtyre dy procedurave hetimore administrative, dha jo vetëm impakt sa i përket transparencës dhe besueshmërisë së procesit, por mbi të gjitha provoi se në zbatim korrekt të ligjit, me vullnetin për t’i shërbyer sa më mirë procesit, çdo manipulim i rezultateve të zgjedhjeve dhe vullnetit të shqiptarëve të shprehur me votë, evidentohet dhe do të marrë ndëshkimin ligjor të merituar. Shprehim bindjen se ky rol aktiv i KQZ-së do t’i shërbejë forcimit të kulturës së ndëshkueshmërisë, do të japë mësimin e merituar për cdo komisioner që në mënyrë joligjore merr përsipër të manipulojë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë!” shtoi zëdhënësja.