E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, akt normativ për fletët e kontestuara

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka hartuar një akt normativ në lidhje me fletët e votimit të cilat janë gjetur në kutitë e gabuara dhe KZAZ-të në kryeqytet i kanë cilësuar ato si fletë të kontestuara.
 

Drafti i hartuar nga administrata e KQZ-së parashikon rishikimin e tabelave me rezultatet e nxjerra nga KZAZ për pasqyrimin në to të fletëve të kontestuara.

Sipas këtij akti, kërkohet që votat e kontestuara të pasqyrohen në tabelën përmbledhëse. “KQZ duhet të vlerësojë këto fletë dhe të vendosë se për cilin kandidat apo subjekt të llogariten. Kjo të bëhet vetëm pas numërimit të votave për njësitë bashkiake, që të evidentohen këto fletë votimi hedhur në kutitë e gabuara”, thuhet në akt.

Sipas aktit, KQZ duhet të pezullojë hartimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e Bashkisë së Tiranës, deri në mbylljen e proçesit të numërimit të votave për njësitë bashkiake, për kreun e njësisë dhe këshillat bashkiake.

Ndërkohë përfaqësuesit e PS-së në KQZ kërkuan kohë për ta lexuar më parë aktin dhe më pas ai të shqyrtohet në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
 

Ndërkohë pritet që KQZ-ja në mbledhjen e sotme të marrë në shqyrtim aktin normative ku do të vendoset nëse fletët e kontestuara do të cilësohen të vlefshme apo jo.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›