KQZ cakton ndarjen e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ për partitë politike

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Në mbledhjen e sotme të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve u miratua projektvendimi “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.
Partitë politike që do të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve) për zgjedhjet për parlamentare të datës 11 maj 2025 janë si më poshtë:
Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSh), si partia kryesore e shumicës parlamentare,
propozon 2 (dy) anëtarë;
Partia Socialdemokrate (PSD), si partia e dytë kryesore e shumicës parlamentare,
propozon 1 (një) anëtar;
Partia Demokratike (PDSH), si partia kryesore e opozitës parlamentare, propozon 2 (dy)
anëtarë;
Partia e Lirisë (PL), si partia e dytë kryesore e opozitës parlamentare, propozon 1 (një)
anëtar.
Bazuar në rezultatin e shortit të hedhur në seancë, për përcaktimin e partisë që do të propozojë anëtarin e shtatë në përbërjen e KZAZ-ve: PS do të propozojë anëtarin e shtatë për KZAZ-të e renditura me numër çift; PD do të propozojë anëtarin e shtatë për KZAZ-të e renditura me numër tek;
Ndërkohë, sekretari i KZAZ-së do të propozohet nga Partia Socialiste e Shqipërisë për ato KZAZ ku kjo parti propozon zëvendëskryetarin dhe nga Partia Demokratike për ato KZAZ ku kjo parti propozon zëvendëskryetarin.