KQZ debaton për kutitë e Fierit. Miraton rezultatet e Shkodrës, rrëzon LZHK-në
TIRANË- Ka nisur në orën 11:00 mbledhja e KQZ, ku në rendin e ditës janë nxjerrja e rezultateve përfundimtare të qarkut Shkodër dhe Fier si dhe shqyrtimi i ankesave të LZHK-së për Tiranën. Aktualisht është duke u diskutuar për 9 kutitë e Fierit, ndërsa janë miratuar rezutatet e Shkodrës dhe rrëzuar ankesat e LZHK.
Pak minuta me parë u miratua pa votat e përfaqësuesve socialist në KQZ, tabela përfundimtare e rezultateve të Qarkut Shkodër. Sipas relacionit shoqërues të vendimit, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga çdo KZAZ. Pas disa saktësimeve nga administrata e KQZ-së për dy KZAZ të këtij Qarku, përfaqësuesit e opozitës në Komision votuan kundër vendimit. Sipas tyre, rezultatet e dy qendrave të votimit, nuk ishin përfshirë në tabelat përmbledhëse të miratuara nga komisionerët e KZAZ-së përkatëse. "Të gjitha QV-të që janë marrë në dorëzim si të rregullta duhet të ishin të përfshira në rezultat. Përderisa kjo nuk është përmbushur nga KZAZ duhet ta bëjë KQZ-ja, pasi kjo përbën një problem thelbësor për rezultatin zgjedhor. Mungesa e dy QV-ve të marra në dorëzim dhe të mospërfshira në tabelë më duket e pavend", u shpreh nënkryetarja Subashi, përfaqësuese e PS-së në komision. Kjo u hodh në votim dhe u rrëzua, sepse 4 anëtarë të KQZ votuan për miratimin e rezultateve të Shkodrës dhe 3 për mosmiratimin e tyre.
KQZ rrëzon kërkesën e LZHK-se
sot, ora: 12:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi mesditën e sotme kërkesat e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të Qarkut të Tiranës. LZHK, e cila në votimet e 28 qershorit kryesonte koalicionin e djathtë "Poli i Lirisë'', përmes ankesës së saj pranë komisionit zgjedhor kontestoi tabelën përmbledhëse të rezultateve në KZAZ-të nr. 45, 47, 49 dhe nr. 51 të Qarkut Tiranë, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave.
Anëtarët e KQZ-së refuzuan t'i pranojnë këto ankimime të paraqitura nga LZHK, pasi, sipas tyre, ato nuk respektojnë kriteret e përcaktuara në nenet 124, 126 dhe 130 të Kodit Zgjedhor.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ mbrëmjen e 3 korrikut, koalicioni "Poli i lirisë", grupim i gjashtë partive, mori në zgjedhjet e 28 qershorit 27.493 vota ose 1.82%.
****
KQZ shtyn sërish Fierin, debate mes Ristanit dhe Subashit
data 6 korrik
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë sërish numërimin e 9 kutive të Qarkut të Fierit me pretendimin se partitë nuk kanë bërë kërkesë për hapjen e tyre. Zv.kryetarja, Dëshira Subashi, kërkoi që në fillim të mbledhjes që të procedohet si me Fushë-Kuqen, pra të hapen kutitë. Ndërsa kryetari i KQZ, Arben Ristani tha se nuk ka një kërkesë nga subjektet partiake ndaj duhet të vijohet me analizimin e tabelave pasi KZAZ i ka plotësuar ato.
Më pas KQZ vijoi mbledhjen me miratimin e tabelës përmbledhëse të Qarkut Durrës dhe më tej kërkoi shqyrtimin e Beratit. Për këtë të fundit administrata nuk e kishte gati dosjen. Në vijim të mbledhjes së KQZ-së, Ristani tha se "meqëse këta e kanë kaq problem Fierin dhe të shqyrtojmë materialet që kanë ardhur nga ky qark". Por as për këtë, administrata nuk ishte gati. Subashi replikoi duke thënë se "në bazë të ligjit kur kutitë e një KZAZ-je vijnë këtu me vendim KQZ duhet të merren në shqyrtim brenda 48 orëve dhe në fakt 48 orë kanë kaluar për kutitë e Fierit".
Në këto kushte KQZ vendosi që të mbidhet nesër në mëngjes sërish për kutitë e shumëdebatuara të Fierit.
*****
KQZ vendos të hënën për 9 kutitë e Fierit. Reagon PS-ja
Data 5 korrik
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për nesër vendimin për fatin e 9 kutive të qarkut të Fierit. Kuti, në të cilat Partia Socialiste pret të marrë mandatin e nëntë. Sipas nënkryetares së këtij Komisioni, Deshira Subashi, dita e nesërme korrespondon me afatin për marrjen në shqyrtim të kutive nga institucioni qendror zgjedhor. Kutitë që ende nuk janë numëruar i përkasin KZAZ nr. 18, 19,20, 22, për të cilat Subashi deklaron se ka shkelje. Sipas saj, në shumë kuti të katër KZAZ-ve komisionerët nuk kanë kryer fare procesin e numërimit, megjithëse këto kuti kanë dokumentacionin (tabelat) që janë numëruar. Në këto kushte subjekti politik i interesuar duhet të ankimojë pranë KQZ vendimin e kundraligjshëm të KZAZ. Më pas KQZ voton për të pranuar ose jo ankimimin dhe vetëm në rastin e një miratimi të ankimit , KQZ ka të drejtën ligjore të numërojë kutitë përkatëse.
Pas kësaj, ka reaguar menjëherë kandidatja e PS-së, Ermelinda Meksi, e cila ka kërkuar nga Sali Berisha të ndalojë tentativat për t'i marrë PS-së mandatin e nëntë në këtë qark. Gjatë një reagimi nga selia e PS-së ajo u shpreh se ka vënë në dijeni faktorin ndërkombëtar për të monitoruar procesin.
"I kërkojmë Sali Berishës të ndalë çdo tentativë të dështuar për rrëmbimin e mandatit të nëntë të PS-së në qarkun e Fierit. I kërkojmë KQZ-së që në respekt të ligjit të mos zvarrisë numërimin e kutive të panumëruara të Fierit, që ndodhen prej ditësh në sallën e mbledhjeve të KQZ-së"- tha ajo.
Sipas Meksit, KQZ-ja duhet të vlerësojë urgjentisht ankimin e forcave politike, për manipulim dhe shkelje të Kodit Zgjedhor, në Tirane, Berat etj.