E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ debaton për votuesit në Kukës (ndërkohë Flamuri po e rrëmben një mandat pa çarë kokën)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë nga debatet për rishpërndarjen e mandateve parlamentare, një vendimmarrje e dështuar disa ditë më parë pasi kërkonte shumicë të cilësuar votash. Partia Socialiste përsëriti kërkesën për informacion të hollësishëm nga Ministria e Brendshme mbi zhvendosjen në listat elektorale në Qarkun e Kukësit, por nënkryetari i KQZ pohoi se nuk ka ardhur asnjë përgjigje nga ministria e drejtuar nga Noka.  KQZ ka shtyre me kërkesë të opozitës vendimmarrjen për ndarjen e re të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Sipas draftit, është propozuar shtimi i vendnumërimit të votave nga 66 njësi në 76 njësi për të shpejtuar procesin e nxjerrjes së rezultatit elektoral.

Sipas amendimeve të fundit në Kodin Elektoral, Zonat e Administrimit të Zgjedhjeve tashmë miratohen jo nga Kuvendi, por nga KQZ-ja. Afati i fundit për të miratuar këto zona është data 7 dhjetor, kur është caktuar mbledhja e radhës e KQZ.

Ndërkohë që ende nuk është saktësuar fondi që do të zërë në buxhetin e vitit të ardhshëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kjo për faktin se priten vendimet e këtij institucioni për dy projekte pilot në Tiranë e Fier.

Por megjithatë gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve përfaqësuesja e KQZ-së ka deklaruar se ky organ kërkon rreth 30 milion lekë më tepër sesa është përcaktuar në buxhet për të rikonstruktuar dy magazinat që mbajnë materialet zgjedhore, si dhe për blerjen e një automjeti. Kërkesat janë konsideruar të drejta edhe nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›