E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KQZ kërkoi plotësim të dokumentacionit, Bardhi: E kemi çuar të plotë, çfarë kërkohet s’ka lidhje me ligjin

Edhe pse KQZ kërkoi plotësim të dokumentacionit për regjistrimin e  PD, pasi njohu si kryetar të saj Lulzim Bashës, deputeti Gazmend Bardhi tha se dokumentacioni është dorëzuar i plotë për regjistrimin.

Plotësimet që kërkon KQZ, sipas Bardhit, janë “formalizim i një vullneti politik ekstraligjor” dhe nuk ka lidhje me ligjin.

“PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizimi i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plot”, shkruan Bardhi në twitter.

Pas debateve mes dy palëve të PD se kush duhet të regjistrohej në zgjedhjet e 14 majit si subjekt politik, KQZ njohur kryetar të PD Luzlim Bashën, i cili figuron në vendim gjykate edhe si kryetar i partisë.

Megjithatë Celibashi tha se ka mungesë qartësie në dokumentin e delegimit të kompetencave dhe kërkoi që të qartësohen detyrat që do të ketë i autorizuari për regjistrimin e partisë në zgjedhjet vendore.

Sipas dokumentit të firmosur nga Basha i deleguari mund të jetë ose nënkryetari Enkelejd Alibeaj, ose sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi ose përfaqësuesi ligjor Indit Sefa, por për Celibashin “kodi e thotë qartë se deklarata e kryetarit të partisë nuk është kompetencë por përgjegjësi, dhe si përgjegjësi ajo nuk mund të delegohet”.

Pra dokumentet plotësuese duhet të firmosen nga kryetari i partisë dhe jo të deleguarit prej tij.

Pjesë nga autorizimi i firmosur nga Lulzim Basha më 18 mars 2022.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›