E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, mazhoranca zgjedh 4 kandidatë për kryetar

Pasi dëgjoi për 5 orë kandidatët për kryetar të KQZ-së, Komisioni i Ligjeve nuk ka mundur të përzgjedhë dy emrat që duhej t’i çonte të enjten në seancën për votim. Si përfundim mazhoranca ka zgjedhur katër emra finalistë të cilët do të duhet të shkojnë në Kuvend. Opozita ka pasur dy emra ku spikasin Kristaq Kume i mbështetur edhe nga LSI dhe Sajmir Visha, ndërsa demokratët kishin votuar që një javë më parë për Marsida Zhaferllarin, Endrit Rekën, Lefteri Lleshin dhe Haki Mustafën. Për arsye votash, katërshja e maxhorancës rezultoi fituese.
Përplasja për emrat
Por në këtë moment ndodhi dhe përplasja mes palëve që shkaktoi dhe bllokimin e procesit të zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së. Sipas opozitës, Endrit Reka dhe Haki Mustafa duhet të hiqen nga lista pasi nuk plotësojnë kriteret. Socialistët thanë se të parit i mungon përvoja dhe i dyti mban ende teserën e partisë Demokratike. Në vend të tyre, sipas opozitës, në listë duhet të përfshihen 2 emrat e përzgjedhur prej saj. “Automatikisht do të thotë që ata nuk mund të jenë në këtë listë, përjashtohen. Duhet t’i ofrohet Komisionit katër, por që plotësojnë kriteret nga të cilët zgjedh ky Komision dhe është e papranueshme nëse do të jetë kështu, sepse ky Komision do të shkelte rëndë ligjin”, deklaroi Xhafa. Ndërsa Rusmajli u shpreh: “Në vlerësimin e anëtarëve të gjithë këta persona që kanë marrë vota kanë plotësuar kushtet ligjore që parashikon Kodi. Nëse ndonjëri për ndonjë motiv që ju e dini, nuk ju pëlqen, ky është problemi juaj. Kjo është një lojë evidente për të bllokuar procedurën, për tu imponuar në kundërshtim me rregulloren. Ndoshta ne do të presim të kalojë 10 tetori se atë keni merak. Shkoni e ndajeni atje tek partia vetëm na thoni: Do ta zhbllokoni apo do ta mbani të bllokuar”.
Kryetari i ri
Ndonëse ishte parashikuar që të votohej në seancën e së enjtes formacioni i ri i plotë i KQZ-së, bllokimi në Komisionin e Ligjeve e lë ende të paqartë konkretizimin me votë të tij. Sipas Kodit Zgjedhor, ky proces duhet të kishte përfunduar që në shtator.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›