E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ mbyll numërimin, sot shpall fitues Bashën me 78 vota

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 23-05-2011 12:16

Tiranë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar mbrëmë numërimin e 125 kutive, ku në përfundim të tyre, Lulzim Basha kryesonte me 78 vota. Në përfundim të këtij procesi, i cili ka nisur që më datë 17 maj, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani bëri të ditur se gjatë mbledhjes së sotme, fillimisht do të miratohet tabela përmbyllëse e KZAZ 49 e më pas do të miratohen të 11 tabelat përmbyllëse të KZAZ-ve. Në fund të mbledhjes së sotme, KQZ do të shpallë edhe tabelën përmbyllëse për Tiranën, e rrjedhimisht edhe kandidatin fitues. Ristani tha se gjatë ditës së sotme do të miratohet dhe vendimi, sipas të cilit KQZ vendosi të numërojë votat e hedhura gabimisht në kutitë e tjera. “Vendimi është gati. Është miratuar pikë për pikë dhe nesër do ta miratohet në tërësi” – u shpreh ai, pas pyetjes së bërë nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Ai u vuri në dispozicion përfaqësuesve të Partisë Socialiste edhe një kopje të projekt-aktit, i cili pritet të miratohet gjatë ditës së sotme. Procesi i numërimit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara, i cili ka nisur që në datë 17 maj, nuk ka kaluar pa debate të ashpra mes palëve të përfshira në këtë proces. Gjatë gjithë këtij procesi, përfaqësuesit e Partisë Socialiste e kanë kundërshtuar atë, duke e cilësuar shkelje flagrante të ligjit, për të cilin Arben Ristani duhet të mbante përgjegjësi. Por nga ana e tij, Ristani është shprehur se KQZ-ja, në mungesë të një KZAZ-je për Tiranën, merr kompetencat e saj, duke numëruar kështu fletët ku zgjedhësi ka shprehur qartazi vullnetin e tij. Gjatë ditës së djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar dhe 21 kutitë e fundit të mbetura, të cilat i përkisnin KZAZ-së 49. Mbledhja ka nisur rreth orës 10:00 dhe ka përfunduar në orët e vona të ditës së djeshme. Deri në orën 16:00, kur dhe u ndërpre mbledhja për një pushim 2 orësh, u hapën 9 kuti, nga të cilat dolën 7 vota të vlefshme për Lulzim Bashën dhe 6 për Edi Ramën. Pas rinisjes së mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar dhe 12 kuti të tjera, duke mbyllur në këtë mënyrë procesin e numërimit të votave të kontestuara në këtë KZAZ, por edhe në të gjithë Tiranën. Gjatë ditës së djeshme, KQZ-ja vendosi të mos hapë kutinë me numër 1845/4, pasi kishte një mospërputhje kodesh, e cila u interpretua nga ana e përfaqësuesve të PD-së në KQZ si gabim të grupeve të numërimit. Në proces-verbal, njëri prej kodeve përfundonte me shifrat 78, ndërkohë që në kutinë e ndodhur në KQZ, kodi përfundonte me shifrat 87. Procesi i numërimit të fletëve të kontestuara është shoqëruar me debate të shumta mes palëve, ku pas çdo kutie të hapur, përfaqësuesit e Partisë Socialiste i kujtonin Arben Ristanin se me këtë veprim po shkelte ligjin, por replikat mbylleshin nga Ristani me fjalët: “Pas përfundimit të këtij procesi, mund t’i drejtoheni Kolegjit Zgjedhor për të gjitha ankesat që keni”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›