Ristani i përgjigjet ODIHR: Kur të marrin vendimin, s’do kenë paqartësi
Kreu i KQZ-së, Arben Ristani shpjegon pse numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara duhej bërë para shpalljes së rezultatit për Tiranën
Zoti Ristani, a keni qenë në krye të një institucioni, jashtë ndikimeve politike?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion i pavarur dhe jashtë ndikimit politik. Askush nuk mund të thotë të kundërtën.
Cila ka qenë baza ligjore e procesit të ditëve të fundit?
KQZ mund të marrë të gjitha kompetencat e paushtruara të institucioneve në varësi të tij, në këtë rast të KZAZ-ve. Praktika për këtë është shumë e larmishme, që prej 2001 në zonën 60. Po kështu, ka shumë raste në 2003, 2007, 2009, ku KQZ ka marrë kompetencat e KZAZ-ve, për të bërë atë punë që ato nuk e kishin bërë. Raporti i OSBE-ODIHR-it i ka kërkuar KQZ-së të jetë më aktiv, pa filluar ende procesi i ankimimit. Nuk është në diskutim nëse është në kompetencë të KQZ apo jo. Së dyti, të gjithë e dinë që ligji parashikon që çdo shtetas shqiptar është i barabartë, në këtë kuptim nuk mund të ketë votë që numërohet dhe votë që lihet pa numëruar. Të gjitha votat duhen numëruar. Neni 117 dhe 118 japin rastet e pavlefshmërisë, është e kuptueshme që vota në kutinë e gabuar nuk mund të konsiderohet si e pavlefshme. Administrimi i votës në disa kuti është një proces teknik, që s’ka të bëjë me zgjedhësin, por me lehtësinë e administrimit.
Ju vendosët që ta ndërmerrni këtë proces, pasi kishte përfunduar numërimi..Duket se janë ndryshuar rregullat në fund të lojës…
Do të ishte e mira që ligji ta kishte parashikuar më parë dhe rrjedhimisht edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta kishte parashikuar më parë. Po këto janë çështje që i nxjerr eksperienca. Kur ligji nuk e kishte rregulluar në mënyrë të shprehur, atëherë gjëja ka qenë e interpretueshme. Eksperienca e deritanishme s’e kishte nxjerrë në pah, fenomenin e nxori në pah rezultati i ngushtë në Tiranë. Megjithatë, është një akt i ankimueshëm, që do t’i nënshtrohet procesit të ankimimit dhe do të filtrohet në këtë rrugë.
Si i keni udhëzuar numëruesit përpara procesit të votimit?
Ne kishim marrë dy masa për këtë rast, patëm një spot televiziv që këshillonim zgjedhësit të hidhnin votën në kutinë e duhur. I kërkuam komisioneve zonale që të linin një anëtar të drejtonte zgjedhësit gjatë votimit. Me këto 2 masa nuk e shmangëm këtë problem, por u detyruam ta korrigjonim rrugës. Numëruesit nuk ishin udhëzuar si duhej ta konsideronin këtë fletë të hedhur në kutinë e gabuar. U ndesh një praktikë e ndryshme në disa KZAZ dhe e bëri më të nevojshme zgjidhjen e këtij problemi.
Pse zgjodhët këtë rrugë, të shikonit procedurat rrugës, ndërkohë që më parë mund të kishit nxjerrë rezultatin, e më pas të merreshit me ankimimet?
Ky fenomen nisi para procesit të nxjerrjes ose tabulimit të rezultateve. Kjo mënyrë veprimi nuk u heq palëve mundësinë të ankohen. Mund të vazhdojnë procesin e ankimimit.
Në një raport paraprak të OSBE-ODIHR-it thuhet se ka paqartësi në bazën ligjore për këtë proces. Ka qenë paaftësi e vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për të kuptuar apo e juaja, për të bërë shpjegimin e duhur?
Kreu i ODIHR-it, Stonestreet e ka shpjeguar në një intervistë të dytë se ka paqartësi, pasi nuk e ka marrë ende vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në momentin që do të marrin vendimin, nuk do të kenë më paqartësi.