E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton ndarjen e mandateve për Qarkun e Durrësit

TIRANË- Një ditë pas mbylljes së ankimimit për Durrësin nga ana e Kolegjit Zgjedhor, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve miratoi vendimin për shpërndarjen e mandateve të deputetëve për këtë Qark.
Vendimi i miratuar sot nga KQZ përcakton ndarjen e 13 mandateve për Qarkun Durrës; 7 mandate për koalicionin "Aleanca e Ndryshimit", të kryesuar nga Partia Demokratike, 5 mandate për koalicionin "Bashkimi për Ndryshim", të drejtuar nga Partia Socialiste dhe 1 mandat për koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim", të udhëhequr nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Sipas vendimit të sotëm, KQZ shpalli kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PD-së për qarkun Durrës: Ferdinand Xhaferri, Albana Vokshi, Gazmend Oketa, Ylli Lama, Osman Metalla, Eduard Halimi dhe Igli Cara.
Ndërsa kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PS-së për këtë qark janë: Blendi Klosi, Rudina Seseri, Hazir Gashi, Gazmir Bizhga dhe Klodiana Spahiu.
Kandidati fitues i koalicionit "Aleanca Socialiste për Integrim" u shpall Lefter Koka.
Durrësi është qarku i nëntë nga 12 të tillë, ku KQZ përfundoi procesin e mandatimeve, pas Vlorës, Dibrës, Gjirokastrës, Kukësit, Korçës, Elbasanit, Lezhës dhe Beratit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›