KQZ ndan mandatet e fundit. Partitë, 5 ditë kohë për ankimimet
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli sot shpërndarjen e mandateve të fundit të deputetëve që i përkasin qarqeve Shkodër, Tiranë dhe Fier, duke i dhënë fund kështu edhe llogaritjes së deputetëve fitues për parlamentin e ardhshëm.
Ndërkohë që rezultati zyrtar i zgjedhjeve do të shpallet ditën e shtunë, në një tjetër mbledhje të KQZ-së.
Gjatë mbledhjes u miratua me unanimitet shpërndarja e 32 mandateve për Tiranën, 16 për Fierin dhe 11 për Shkodrën. Pas tyre, u miratua edhe emrat e deputeteve për të tri qarqet që kishin mbetur.
Por, ndonëse sot merr fund shpërndarja e mandateve të deputetëve për 12 qarqet e vendit, Kodi Zgjedhor e detyron KQZ të presë dhe pesë ditë për shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Sipas kryetarit të komisionit, Arben Ristani, Kodi Zgjedhor u jep subjekteve politikë një afat pesëditor për të ankimuar përllogaritjen nga KQZ të formulës në shpërndarjen e mandateve.
Kolegji Zgjedhor vendosi dy ditë më parë të lërë në fuqi vendimet e Komisionit Zgjedhor lidhur me tabelën e rezultateve për qarkun e Shkodrës, Tiranës dhe Fierit, gjë që jep sot mundësinë KQZ-së që të zyrtarizojë këto rezultate dhe t'i përkthejë në mandate numerike dhe nominalë.
Me këtë vendim u përcaktua dhe në numër se sa deputetë do të jenë brenda koalicioneve dhe mes koalicioneve për secilin qark, por dhe se cilët individë nga lista shumëemërore përfitojnë dhe shndërrohen në deputetë të Kuvendit më të ri Shqipërisë.
Ndërkaq, subjektet ata kanë të drejtë, sipas nenit 167 të Kodit Zgjedhor, të ankimojnë vendimin e KQZ-së lidhur me shpërndarjen e mandateve. Për këtë KQZ 'de jure' është e detyruar të presë pesë ditë.
Mbledhja e sotme vjen pas mbylljes së ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor, të cilat nuk sollën asnjë ndryshim thelbësor në vendimet e Komisionit zgjedhor.
Deri tani, KQZ ka shpallur 81 mandate, ndërsa pritet të miratojë dhe 59 mandate të tjera, përkatësisht 32 në Qarkun Tiranë, 11 në Qarkun Shkodër dhe 16 në Qarkun Fier.
Detyrimi për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve është parashikuar në pjesën e tretë të Kodit Zgjedhor, në nenin 167 të tij, ku thuhet se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve shpallet nga KQZ-ja jo më vonë se 5 ditë nga data e shpalljes së rezultatit për shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore.
TIRANA
Sipas vendimit, 32 mandatet e Qarkut më të madh të vendit, ndahen në këtë mënyrë: 16 mandate për koalicionin e djathtë "Aleanca e ndryshimit", e drejtuar nga PD, 15 mandate për koalicionin "Bashkimi për ndryshim", i drejtuar nga PS dhe 1 mandat për koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim", i kryesuar nga LSI.
Sipas vendimit, KQZ, pas përllogaritjeve shpalli 15 kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PD-së për Qarkun Tiranë, përkatësisht: Sali Berishën, Aldo Bumçin, Rajmonda Bulkun, Bujar Nishanin, Majlinda Bregun, Gerti Bogdanin, Gent Strazimirin, Florian Mimën, Ilir Rusmalin, Myqerem Tafajn, Luan Skuqin, Tritan Shehun, Viktor Gumin, Arben Imamin dhe Lajla Përnaskën. Ndërsa fitues nga lista shumëemërore e PR-së është Fatmir Mediu.
15 kandidatët fitues nga lista shumëemërore e PS-së për këtë qark janë: Vasilika Hysi, Besnik Baraj, Kastriot Islami, Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Andis Harasani, Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni, Namik Dokle, Enkelejda Shkreli, Eduard Shalsi, Xhemal Qefalia, Dashamir Peza, Ilir Gjoni dhe Artan Gaçi.
Nga koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" fitues për qarkun e Tiranës është kandidati Ilir Meta.
FIERI
16 mandatet e këtij Qarku ndahen: 6 mandate për koalicionin "Aleanca e Ndryshimit", 9 mandate për koalicionin "Bashkimi për Ndryshim" dhe 1 mandat për koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim" .
Sipas vendimit, KQZ shpalli 6 kandidatët fitues nga lista shumemërore e PD-së për këtë qark, që janë: Sokol Olldashi, Ilir Bano, Mesila Doda, Enkelejd Alibeaj, Vasillaq Ngresi dhe Fatos Beja.
Ndërsa, 9 kandidatët fitues nga lista shumëemërore e PS-së për Qarkun Fier, janë: Gramoz Ruçi, Ermelinda Meksi, Albert Çaçi, Fatos Tushe, Armando Subashi, Bashkim Fino, Ervin Koçi, Arben Çuko dhe Pirro Lutaj.
Nga koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" fitues për qarkun e Fierit është kandidati Dritan Prifti.
SHKODRA
Të 11 mandatet e Qarkut të Shkodrës ndahen: 7 për koalicionin e djathtë "Aleanca e ndryshimit' dhe 4 për koalicionin e majtë "Bashkimi për ndryshim".
Sipas vendimit, KQZ shpalli kandidatët fitues nga lista shumëemërore e PD-së për qarkun Shkodër: Jozefina Topalli, Astrit Bushati, Arenca Trashani, Gëzim Dibra, Gjok Uldedaj, Paulin Sterkaj dhe Ndue Paluca.
Ndërsa kandidatët fitues nga lista shumëemërore e PS-së për këtë qark janë: Ilir Beqja, Tom Doshi, Ndue Kola dhe Astrit Beci.
************************
24 korrik
Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesat e partive për Shkodrën dhe Tiranën
TIRANË (UPDATE) - Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar ankesat e partive edhe për qarqet e Tiranës dhe Shkodres. Gjatë seancës së fundit nuk u vlerësua si i drejtë ankimimi i paraqitur nga Partia Socialiste për vendimin e ndërmjetëm të 6 KZAZ-ve të Qarkut Tiranë.
Objekt i ankesës së PS-së ishte kontestimi i vendimeve të tabelave të rezultateve në KZAZ-të me nr. 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60, pasi votat për subjektin e tyre nuk janë vlerësuar drejt dhe për këtë kërkonin rinumërim e rivlerësim për disa qendra votimi në qarkun më të madh të vendit. Pas dëgjimit të kërkesë-padisë nga përfaqësuesit ligjorë të PS-së, gjyqtarët e Kolegjit janë tërhequr, duke dalë më pas me vendimin për ta rrëzuar këtë ankesë.
Dy orë më parë Kolegji mbylli edhe çështjen e Shkodrës, ku vendosi për të mos rinumëruar votat, duke rrëzuar në këtë mënyrë ankesën e Partisë Socialiste që kishte kontestuar vendimin e KQZ-së për këtë qark. Po kështu Kolegji hodhi poshtë gjate kesaj seance edhe ankesat e PD dhe PDK për pavlefshmëri në disa qendra votimi në qarkun e Shkodrës.
Trupi gjykues i këtij Kolegjit pranë Gjykatës së Apelit deklaroi se kërkesat e tre subjekteve politike janë të pabazuara në ligj dhe prova. Në këtë mënyrë rezultati i votimeve dhe mandateve për qarkun e Shkodrës mbetet i pandryshuar.
Partia Socialiste kërkonte shqyrtim të gjithë tabelave te rezultateve të KZAZ-ve të qarkut Shkodër, pasi sipas këtij subjekti ka patur parregullsi gjatë numërimit te votave dhe plotësimit të tabelave nga ana e komisionerëve. Partia Demokratike nga ana e saj kërkonte që të përfshiheshin në tabelat e rezulateve përfundimtare të Shkodrës edhe qendrat e votimit 0211 dhe 0342.
Shqyrtimi i këtyre ankesave shënon dhe përmbylljen e kësaj faze në Kolegj, që i hap më pas rrugën certifikimit nga KQZ të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Një ditë më parë trupa gjyqësore e Kolegjit rrëzoi ankesën e PD-së dhe të PDI-së për Qarkun e Fierit, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së. Po kështu Kolegji ka rrëzuar edhe ankesën e PS-se për Beratin.