E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, banorët peticion kundër asgjësimit të municioneve

Rreth 2000 firma pritet të mblidhen pas fillimit të shpërthimeve në Gjegjan çka ka krijuar probleme për banorët përreth


PUKË - Banorët e Pukës, por dhe të komunës Gjegjan kanë nënshkruar një peticion ku kundërshtojnë asgjësimin e municioneve luftarake në vendin e quajtur Livadhet e Hamzit. Prej disa ditësh automjete ushtarake kanë filluar transportin e municioneve të rrezikshme ushtarake për në Livadhet e Hazit, vetëm 5 km larg qytetit. Ndonëse ka vetëm tri ditë që procesi i asgjësimit ka filluar, nga banorë të kësaj zone mësohet se janë shfaqur dhe pasojat e para.


Kështu, nga tronditjet e tokës në fshatin Shkozë të këtij rrethi, 11 banesa rrezikojnë të shemben plotësisht, pasi janë të ndërtuara mbi një tokë të paqëndrueshme, rrëshqitja e të cilës po stimulohet edhe nga tronditjet që kanë shkaktuar plasaritjen e ndjeshme të dy prej banesave të këtij fshati. Ndërkohë edhe në Prozhëm një banesë ka pësuar të çara.


Rifillimi i asgjësimit të municioneve ka sjellë dëmtime edhe në bletari, vreshtari, por dhe kultura të tjera bujqësore. Kështu dhjetëra parqe me bletë janë larguar drejt Tropojës, pasi vdekja e menjehershme e bletëve ishte e pashmangshme.


Minivreshtat kanë filluar të shkunden, ashtu siç janë shfaqur dhe probleme tek misri e kultura të tjera. Sipas banorëve të Pukës, peticioni me rreth 2000 firma do t'i dërgohet autoriteteve të larta të vendit me kërkesën e ndalimit të asgjësimit të municioneve luftarake në masivin e Tërbunit.


Banorët shprehen se do t'i përshkallëzojnë protestat e tyre deri në bllokim të aksit rrugor që të çon drejt Tërbunit. Fran Pali, banor i zonës, shprehet se ky është një krim që po i bëhet gjithë Pukës, e cila të vetmen mundësi zhvillimi ka turizmin malor. Nënshkrues të peticionit në qendër të qytetit të Pukës shprehen se janë të gatshëm deri edhe të shtrihen para kamionëve të ushtrisë, për të penguar këtë masakër që po bëhet në dëm të tyre.


Ata i bëjnë apel Kryeministrit e Presidentit. "Nuk mjafton harresa dhe premtimet e pambajtura, por tani po na shkatërrojnë plotësisht", shprehet një banore e Pukës. Sipas kreut të bashkisë Pukë, Rustem Strugaj, asnjë përgjigje nuk ka ardhur pas reagimeve kundërshtuese lidhur me këtë problem. Ndërkohë mësohet se sapo kanë nisur shpërthimet tek Livadhet e Hamzit, disa turistë të huaj janë larguar.


Ministria e Mbrojtjes edhe para dy vitesh e përdori vendin tek Livadhet e Hamzit si poligon asgjësimi, dhe si pasojë u shkaktuan shumë zjarre në pyje, u shfarosën kafshë të egra, ndërsa u shkaktuan dëme dhe në tufat blegtoriale, pa folur për turistët që u larguan të gjithë. Në komunën Gjegjan të Pukës aktualisht ndodhen 5500 tonë municione luftarake të kalibrave të ndryshëm që pritet të asgjësohen.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›