E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ nis numerimin e fleteve te panumeruara ne njesine 5

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka rinisur pasdite procesin e numërimit të fletëvotimeve të hedhura në kuti të gabuara nga zgjedhësit, gjatë procesit të votimit të 8 majit në bashkinë e Tiranës. Fletëvotimet që po vlerësohen aktualisht nga KQZ i përkasin KZAZ-së nr. 49, njësia bashkiake 5.

Para nisjes së këtij procesi, Komisioni u përfshi nga debatet, pasi përfaqësuesit e opozitës, sërish e kundërshtuan numërimin e fletëve të kontestuara, si një veprimtari e paligjshme që nuk parashikohet në kodin zgjedhor.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani mbrojti ligjshmërinë e numërimit të këtyre fletëve, që sipas tij është aplikuar dhe në zgjedhjet e kaluara, ndërsa iu referua dhe rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR të 2009-s. Ai përsëriti se KQZ ka vendosur që të kqyrë të gjitha kutitë e votimit dhe të numërojë votat e panumëruara për kryetar bashkie, këshilli bashkiak, kryetar njësie bashkiake, vota të cilat kanë mbetur të panumëruara.

"KQZ si niveli më i lartë i administratës zgjedhore ka të gjitha kompetencat ligjore për të përmbyllur procese të tilla duke marrë dhe kompetencat e komisioneve të niveleve më të ulëta të administratës zgjedhore dhe shembuj të tillë kemi pasur me bollëk gjatë historisë së zgjedhjeve, si në vitin 2001, 2003 2007. Pra, ka qënë një rrjedhë logjike dhe një mënyrë të vepruari kjo kur KQZ ka marrë kompetencat e KZAZ-së për ta përmbyllur procesin", shpjegoi Ristani.
Kryetari Ristani njoftoi mbledhjen e sotme, se ndërsa deri dje në mbrëmje ishin dhe 8 kuti të panumëruara, sot paradite kanë ardhur dhe 30 kuti të tjera nga njësia nr. 5, që përmbajnë fletë të kontestuara dhe që presin të vlerësohen.

Deri në këto momente, Kandidati i i koalicionit "Aleanca për Qytetarin" Lulzim Basha vazhdon në avantazh votash ndaj kandidatit të "Aleancës për të Ardhmen", Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›