E Martë, 3 Nëntor 2026

KQZ nuk i hoqi mandatin kryebashkiakut të Kuçovës, “Bashkë Fitojmë” e dërgon në KAS

Pasi KQZ nuk i hoqi mandatin Kreshnik Hajdarit, koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ nuk është tërhequr, duke e çuar çështjen në KAS.

Pasi Komisioni Qendror të Zgjedhjeve nuk i ndërpreu mandatin kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk është tërhequr nga qëndrimi duke e çuar çështjen në Komisionin e Ankimin dhe Sanksioneve”

Në ankesën e depozituar në këtë Komision, koalicion Bashkë Fitojmë thekson se vendimi i KQZ-së ishte krejt absurd.

“KQZ-ja ka marrë një vendim absurd dhe haptazi në kundërshtim me ligjin ku ka vendosur, rrëzimin e kërkesës së koalicionit “Bashke Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të Bashkisë Kuçovë z. Kreshnik Hajdari.

Ky vendim i njoftohet menjëherë Kryeministrit për të vijuar me procedurat e parashikuara nga neni 115 i Kushtetutës”, thuhet në ankesën drejtuar Komisionit të Ankimit dhe Sanksioneve.

Para pak ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kërkesën për ndërprerjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Megjithëse ai rezulton i dënuar më parë nga gjykata greke e Janinës, në formularin e vetëdeklarimit ai ka shkruar se nuk është i dënuar.

KQZ hodhi poshtë kërkesën e palës iniciuese duke vlerësuar që Hajdarit të mos t’i ndërpritet mandati i kryebashkiakut.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi vlerësoi se nuk ka arsye ligjore që Kreshnik Hajdarit t’i ndërpritet mandati i kryebashkiakut të Kuçovës.

“Nëse shkaqet mungojnë nuk ka asnjë detyrim për subjektin në fjalë që të deklarojë çdo gjë tjetër që nuk përbën shkak për ndalimin për të marrë një funksion publik. Jemi para një fakti ku subjekti vetëdeklarues, tani kryetar i bashkisë së Kuçovës, në momentin e paraqitjes së formularit të deklarimit ka qenë kandidat për bashkinë dhe në atë formular ka paraqitur disa të dhëna.

Ai nuk ka paraqitur një të dhënë që lidhet me një proces penal në një kohë të caktuar të zhvilluar ndaj tij në territorin e Greqisë.

Në vlerësimin e tij kjo ka qenë e panevojshme për t’u deklaruar ose e ka e harruar. Kjo e dhënë tashmë e certifikuar nga organi i Prokurorisë së Përgjithshme sipas përcaktimit të ligjit, nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën ka marrë dënimin përkatës.

Mbetet diskutimi që fakti që ai nuk e ka deklaruar, edhe në precedentët e tjerë, ne kemi mbajtur qëndrimin që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formaluarin e vetëdeklarimit rrethana apo shkaqe që e ndalojnë atë të marrë zyrën publike.

 Ndaj vlerësoj se nuk ka një shkak ligjor që kryetari i bashkisë së Kuçovës t’i ndërpritet mandatit. KQZ vlerëson vetëm verifikimin e shkaqeve të një personi të caktuar dhe këto shkaqe në rastin konkret mungojnë” u shpreh Celibashi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›