KQZ rrezon ankesen e PS-se

Një kërkesë me një objekt të dyfishtë, kundërshtimin e vendimit të fundit të KQZ-së, që shpalli fitues në Tiranë Lulzim Bashën me 93 vota dhe shpalljen e pavlefshmërisë në 284 QV votimi.
Në mbledhjen e pasdites zoti Ristani lexoi relacionin e vet, ku argumentoi se Komisioni që ai kryeson nuk është kompetent për të shqyrtuar këtë kërkesë të re ankimore. Vendimi i fundit i KQZ-së, sipas tij, erdhi si pasojë e një urdhërimi të Kolegjit në vijim të një ankimimi të mëparshëm.
“Kërkesa e parë nuk pranohet për shqyrtim pasi nuk plotëson kushtin për kompetencën të cilën nuk e ka KQZ, por Kolegji Zgjedhor”, tha Ristani.
Sa i takon pavlefshmërisë, zoti Ristani tha i ka kaluar afati që më 26 maj, tre ditë pasi KQZ shpalli për herë të parë tabelën përmbledhëse për Tiranën.
“Kërkesa e dytë nuk përmbush kushtin për afatin ligjor. Nëse kalon afati 3 ditorë, subjektet nuk mund të kërkojnë pavlefshmëri. Nuk mund të kërkohet pavlefshmëri e zgjedhjeve nëse është shpallur fituesi”, vijoi kreu KQZ-së.
Përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste argumentuan se Partia Socialiste është brenda të gjitha afateve, sepse vendimi i fundit i KQZ-së është vendim i ri.
“Kërkesa e ankimore e PS-së është bazuar në dispozitat e Kodit Zgjedhor. Ne ndodhemi përpara një tabele të re dhe rezultati të ri. Pas miratimit të një tabele të re, nisin afate të reja ligjore. Ankimimi i PS-së është në afat dhe plotëson të gjitha kriteret ligjore”, theksoi Gjonçaj, përfaqësuesi ligjor i PS-së praën KQZ-së.
Megjithë debatet e shumta që zgjatën për më shumë se 1 orë e gjysmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi në fund me 4 vota pro mosmarrjen në shqyrtim të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste, e cila pritet ta dorëzojë këtë kërkesë në Kolegj.
Partia Socialiste ka 5 ditë afat për ta depozituar ankimimin në Kolegj, kurse Kolegji vetë ka 10 ditë afat nga regjistrimi i kërkesës, për të dhënë vendim.