KQZ rrëzon ankesën për Beratin, PS: Do i shkojmë deri në fund
TIRANË-Partia Socialiste ka reaguar pas vendimit të KQZ për të rrëzuar ankesën e saj për rezultatin e Beratit. Përmes zëdhënëses, Armela Imeraj, Partia Socialiste deklaron se "ligji na e jep qartë të drejtën për transparencë të plotë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe as 4 ushtarë të verbër të Sali Berishës në KQZ, as përfaqësuesit ligjor të tij që vijimësisht kanë kërcënuar znj. Dëshira Subashi, as vetë Sali Berisha nuk mund të na e mohojnë këtë të drejtë me dhunë".
PS nuk do të njohë zgjedhjet nëse gjithçka nuk bëhet transparente, të paktën për ato zona ku ajo dyshon se verdikti i popullit nuk është lexuar drejt. Sipas Imerajt, qendrimi i PS për të mos i njohur zgjedhjet, përforcohet nëse rezultati i tyre është i imponuar në kundërshtim me vullnetin e popullit sovran e me ligjin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Populli i Beratit nuk mund të grabitet në lirinë e tij për të ndarë mandatet e përfaqësuesve të vet, ndaj PS zotohet se do të ndjekë gjithë rrugët ligjore por edhe demokratike për të kërkuar të drejtën e zgjedhësve të saj.
KQZ rrëzon ankesën e PS për Beratin
ora: 16:00
TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar ankimimin e Partisë Socialiste për qarkun e Beratit. Me katër vota pro dhe 2 kundër, KQZ rrëzoi kërkesën e PS dhe G99 për Beratin me pretendimin se nuk është e bazuar në ligj dhe nuk përmban provat e nevojshme.
Objekt i dy ankesave ishte kundërshtimi i vendimit të KZAZ-ve nr 1, 2 dhe 3 të këtij qarku për tabelën përmbledhëse të rezultateve, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave të pavlefshme.
Ankesat u hodhën poshtë pas votimit të 6 anëtarëve të Komisionit pasi nënkryetarja Dëshira Subashi braktisi mbledhjen pas debateve të ashpra me Njazi Kosovrastin. Subashi ka kërkuar që ky institucion të numërojë votat e pavlefshme të Qarkut të Beratit dhe të rinumërohen KZAZ 2 dhe 3.
Kjo kërkesë është pasuar me kundërshtimin e përfaqësuesit të PD-së, Njazi Kosovrasti, që e ka quajtur këtë kërkesë të pabazuar dhe jo të mbështetur me fakte.
Të dy kanë debatuar ashpër dhe Subashi ka lënë mbledhjen, duke thënë se është e dyta herë që Kosovrasti e kërcënon.
"Procesi zgjedhor në Berat është i certifikuar. Nuk do lejoj që një gjë e tillë të ndodhë"- ka thënë ai, duke kujtuar se komisionerët e PS në Berat kanë pasur shumicën dhe procesi është drejtuar nga socialistët.
Por, kundër kësaj janë shprehur përfaqësuesit e PS-së, në komision duke kërkuar rivlerësim të procesit në qendrat e kontestuara.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke iu përgjigjur argumentave të përdorur nga përfaqësuesit ligjorë të PS-së për të miratuar ankesën, tha "se nuk duhet shfrytëzuar ligji për të dëmtuar integritetin e procesit zgjedhor".
Sipas rezultatit zyrtar paraprak të KQZ-së, në Qarkun e Beratit koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" fitoi 3 mandate, Aleanca Socialiste për Integrim 1 mandat dhe koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 4 mandate.