E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shqyrton sot ankimimet për qarkun e Shkodrës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen e sotme ku pritet të shqyrtohen kërkesat ankimore të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë Demokristiane për rezultatet në Qarkun Shkodër, që është dhe zona zgjedhore e fundit e ankimuar nga subjektet pjesëmarrëse në votimet e 28 qershorit. Nisur nga objekti i njëjtë të tre ankimimet do të shqyrtohen bashkarisht nga Komisioni. PS, PD dhe PDK në ankesat e tyre paraqesin parregullsitë e vërejtura gjatë procesit të numërimit të votave në disa vende të Numërimit të Votave, të KZAZ-ve në Shkodër. PS ka paralajmëruar se do të ankimojë vendimin për qarkun e Beratit dhe të Tiranës, ndërsa PD për Qarkun e Fierit.
Deri tani institucioni qendror zgjedhor ka ndarë zyrtarisht mandatet e deputetëve dhe shpallur kandidatët fitues për 6 qarqe të vendit (nga 12), përkatësisht për Dibrën, Elbasanin, Gjirokastrën, Kukësin, Korçën dhe Vlorën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›