“KQZ të punojë pa ndikime politike, partitë të konkurrojnë me alternativa”
Zgjedhjet e 23 qershorit, Instituti Demokratik Amerikan publikon raportin
Instituti Demokratik Amerikan (NDI) paraqiti dje raportin parazgjedhor në Shqipëri, duke dhënë edhe rekomandimet përkatëse për një proces zgjedhor të lirë dhe sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. Respektimi i afateve ligjore dhe ndikimi i partive politike në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishin ndër specifikat shqetësuese të NDI. Misioni i vlerësimit parazgjedhor në Shqipëri i përbërë nga guvernatori Hoëard Dean, ish-kryetar i Komitetit Kombëtar të Demokratëve në ShBA, Ellen Weintraub, kryetare e Komisionit Zgjedhor Federal të SHBA, Lousewies Van der Laan, Zëvendëspresidente e Aleancës Demokratike Liberale Europiane si dhe Robert Benjamin dhe Ana Kadovic nga NDI, deklaruan pas një serie studimesh dhe takimesh me politikanët dhe zyrtarët kryesorë se “kuadri ligjor i zgjedhjeve është përmirësuar në masë të konsiderueshme”, dhe “nëse ai do të zbatohet saktë atëherë zgjedhjet do të jenë të besueshme dhe rezultati i pranueshëm”.
“Ka pasur një përparim domethënës në procesin politik dhe në përfshirjen e grave në institucionet vendimmarrëse. Por edhe pjesëmarrja e grave, transparenca edhe menaxhimi i procesit zgjedhor janë përgjegjësi e partive politike, të cilat duhet të krijojnë një klimë politike për konkurrencë të ndershme”, u shpreh Dean.
Sipas guvernatorit Howard Dean, partitë nuk duhet të ndërhyjnë në administrimin e procesit dhe nxjerrjes së rezultatit, ndërsa vëzhguesit dhe komisionerët duhet të shfaqin sjellje paqësore e të kulturuara, sepse ligjet zgjedhore, listat zgjedhore dhe forcat e sigurisë janë përmirësuar.
“Polarizimi aktual politik është shumë i lartë, duke rrezikuar zgjedhjet demokratike dhe manipulim të procesit. Partitë kanë një rol të madh në proces dhe ato e kanë bërë këtë ligj që ta kenë vetë në kontroll procesin”, tha ai.
NDI mendon se “gara pritet të jetë e ngushtë, dhe kjo ka sjellë shqetësimin e publikut se zelli për të fituar me çdo kusht mund të çojë në manipulim të procesit në çdo hap, para dhe gjatë votimit, gjatë numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Partitë duhet të shmangin ndërhyrjet e panevojshme dhe manipulimet partiake”.
Delegacioni i NDI-së gjatë datave 18-22 mars ka pasur takimeve me krerë të shtetit, partive politike, administratorë të procesit zgjedhor. Në përfundimet e tij, vërehen se ekzistojnë masa për krijimin e besimit, që mund të forcojnë mundësitë për zgjedhje demokratike.
Rekomandimet e NDI
Partitë politike mund të nxitin besimin publik në procesin zgjedhor duke u dhënë mundësi votuesve që të bëjnë zgjedhje të informuara përmes:
- Partitë politike duhet të komunikojnë me njëra-tjetrën në mënyrë konstruktive, përmes debateve neutrale, të moderuara dhe forumeve të tjera të ngjashme, të nxjerrin në pah dallimet mes tyre për sa i përket politikave thelbësore dhe çështjeve politike, dhe të heqin dorë nga fjalimet dhe sjelljet e tjera që denigrojnë kundërshtarët dhe ulin besimin e publikut te procesi politik.
- Partitë politike duhet të zgjerojnë dhe të thellojnë komunikimin e politikave të tyre te qytetarët në mënyrë që t’u japin një vizion se si mund të minimizohen pengesat sociale dhe ekonomike dhe të rriten mundësitë.
- Partitë politike nuk duhet të ofrojnë përfitime materiale të drejtpërdrejta për qytetarët në këmbim të votës.
- Udhëheqësit e partive politike duhet të mbështesin pavarësinë institucionale të KQZ-së. Ata duhet të ndërmarrin hapa demonstrativë për parandalimin e situatave në të cilat KQZ-ja zhvishet nga detyrimi i saj për të vendosur me konsensus për çështjet zgjedhore për të cilat ajo është përgjegjëse.