E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 23 qershor do të kemi një 22 mars të dytë

23-03-2013 / Gazeta 55

Mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë vendi festuan dje në sheshin “Nënë Tereza”, 22 marsin, Ditën e Demokracisë, fitoren historike të Partisë Demokratike, 21 vjet më parë. Kryeministri vlerësoi dje se Zgjedhjet e lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo shqiptar që beson se e ardhmja më e ndritur e tij, e fëmijëve dhe e vendit të tij është integrimi i Shqipërisë në Evropë
Eduard Selami: “Është një rrugë e suksesshme të cilën ne do ta vazhdojmë”

Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi festiv dhe madhështor dje, të organizuar nga Partia Demokratike, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, i uroi të gjithë shqiptarëve 22 marsin, ditën e parë të demokracisë shqiptare. Mijëra qytetarë nga Tirana dhe mbarë vendi ishin mbledhur për të festuar së bashku 22 marsin, ditën në të cilën të rejat dhe të rinjtë, burrat dhe gratë e Shqipërisë, me votën e tyre të lirë u shkëputën përgjithmonë nga diktatura më e egër që kombi kishte njohur në historinë e tij.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë, të cilët votuan për sistemin e bazuar në vlerat e lirisë, dinjitetin njerëzor, besimin te Zoti dhe te demokracia.
“22 marsi është vepra e përjetshme e të rejave dhe të rinjve, burrave dhe grave të këtij vendi që në tërësi nuk kishin jetuar një ditë të vetme në liri, por me zjarrin e saj të pashuar në shpirt, me adhurimin për idealin e saj, me besimin te Zoti, me besimin te njëri-tjetri, te Shqipëria, nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë, pasi me uraganin e tyre të lirisë kishin shembur ‘murin e Berlinit’, me një akt guximi, vendosmërie, mençurie, shndërruan votën e tyre të bekuar në themel të demokracisë shqiptare”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë u shpreh se, sot, më shumë se kurrë, 22 marsi na fton përpara, për Shqipërinë e potencialeve dhe shanseve të mëdha, për biznesin dhe punësimin e qytetarëve të saj.
Ai tha se slogani i demokratëve është “Përpara” për konsolidimin dhe zgjerimin e pandërprerë të lirive dhe të drejtave njerëzore në shoqërinë tonë, për zgjedhje të lira dhe dinjitoze, për një “22 mars” të dytë në 23 qershorin që po vjen.
“Përpara, për konsolidimin dhe zgjerimin e pandërprerë të lirive dhe të drejtave njerëzore në shoqërinë tonë, për zgjedhje të lira dhe dinjitoze, për një ‘22 mars’ të dytë në 23 qershor. Nder përjetë të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që në 22 mars të vitit 1992 themeluan demokracinë e re shqiptare. 22 marsi është dira e triumfit të ëndrrës sonë të madhe. ‘Shqipëria në Evropë’ ishte ëndrra jonë fisnike. Shqiptarët, me vullnetin e tyre të lirë, vendosën të ndahen nga sistemi i izolimit më të thellë, të shkallmojnë bunkerin e izolimit dhe të ecin drejt hapësirës së tyre evropiane, hapësirës euro-atlantike, si e ardhmja e tyre më e ndritur”, tha kryeministri.
Kreu i demokratëve theksoi se, “Ne jemi ndryshimi”,  sepse me reforma të thella, me sakrifica, me vepra dhe jo me fjalë, merituam statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokuan bijtë e atyre që përmbysëm në 22 mars, 21 vjet më parë.
“Ne jemi ndryshimi, sepse në këto vite, me reforma të thella e të suksesshme, ne bëmë të vërtetë ëndrrën euro-atlantike të 22 marsit, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave. Ne jemi ndryshimi, sepse ne, me reforma të thella dhe të gjithanshme, bëmë që qytetarët shqiptarë të lëvizin të lirë, pa viza, në mbarë Evropën. Ne jemi ndryshimi, sepse ne, me reforma të thella, me sakrifica, me vepra dhe jo me fjalë, merituam statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokuan bijtë e atyre që përmbysëm në 22 mars, 21 vjet më parë. Le t’u themi atyre se ëndrra jonë evropiane nuk ka dhe nuk mund të ketë të ndalur. Në 23 qershor, me forcën e lirisë së votës sonë, ne do të shembim murin tuaj të bllokimit, do të bëjmë gjithçka. Shqipëria drejt Evropës, Shqipëria në rrugën e integrimit. 22 marsi është dita në të cilën shqiptarët, me votën e tyre të lirë, vendosën të shkëputen nga sistemi i barbarisë në të cilin jetonin jo si qenie shoqërore, por si qenie shtetërore, si skllevër të mjerë të sistemit hiperkolektivist totalitar. Ata vendosën të jetojnë jetën, punën, të ardhmen e tyre, të fëmijëve dhe të vendit të tyre, bazuar në iniciativën e lirë, në lirinë ekonomike dhe vlerat e saj”, vijoi kryeministri.
Duke u shprehur se “ne jemi dhe do të mbetemi lokomotiva e fuqishme e integrimit, kryeministri theksoi se, zgjedhje të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo shqiptar që beson se e ardhmja më e ndritur e tij, e fëmijëve dhe vendit të tij është integrimi i Shqipërisë në Evropë”.
Berisha u ndal dhe te programi i Partisë Demokratike kur tha se shkojmë drejt 23 qershorit, për më shumë vende pune, për rroga më të larta, për mirëqenie më të madhe. Kryeministri garantoi sërish se gjatë katër viteve të ardhshme të qeverisjes së demokratëve, do të bëhet i mundur krijimi i 250 mijë vendeve të reja pune.
“Ne jemi ndryshimi, sepse në një hark të shkurtër kohor, në vendin ku koha kishte ndaluar dhe të ardhurat për frymë ishin të tretat më të ulëtat në botë, në vendin që kishte një papunësi 80 për qind, me reforma të thella, me iniciativën e lirë të qytetarëve shqiptarë, ne ia dolëm të shndërrojmë Shqipërinë në vendin me një ekonomi vibrante, që i rezistoi krizës; në vendin që shënoi ritmet më të shpejta të rritjes së të ardhurave për frymë; në vendin që në një hark të shkurtër kohor ka kapur tregues themelorë të vendeve të zhvilluara; në vendin që gjeneron mijëra e mijëra vende pune në vit; në vendin që sot, në kulmin e një krize të paprecedentë, e cila ka pllakosur rajonin dhe Evropën, jo vetëm nuk pati rritje, por pati ulje të papunësisë. Sot, më shumë se kurrë, 22 marsi na fton përpara, për Shqipërinë e potencialeve dhe shanseve të mëdha, për biznesin dhe punësimin e qytetarëve të saj. 22 marsi na frymëzon ne që me iniciativën tonë të lirë, me mundin, djersën, mendjen, gjeninë tonë krijuese, me reforma të thella e të gjithanshme, ti shndërrojmë potencialet e mëdha të këtij vendi të bekuar dhe pasuritë e tij përrallore natyrore në pasuri për qytetarët shqiptarë, në burim të pashtershëm të punësimit të tyre dhe të rrogave më të larta të tyre. Përpara, drejt 23 qershorit, për më shumë vende pune, për rroga më të larta, për mirëqenie më të madhe. Sot, pas 21 vjetësh nga 22 marsi i ’92, Shqipëria është vite dritë larg Shqipërisë së 21 viteve më parë, por sot, për çdonjërin prej jush, për çdo qytetar shqiptar, për Shqipërinë, fitorja e 23 qershorit është vendimtare dhe përcaktuese për të ardhmen e saj. Fitorja e 23 qershorit dhe zgjedhjet e lira janë vendimtare për çdo të re dhe të ri shqiptar që do të shkollohet dhe të bëjë të vërtetë ëndrrën e tij të dijes, si dhe që kërkon të ketë një vend pune dinjitoz për vete, për familjen dhe për shoqërinë. Shkolla dhe shkollimi i të rinjve, punësimi i tyre me përparësi, janë objektivat tanë. Përpara, për të realizuar ambiciet fisnike të të rinjve tanë. Sot, zgjedhje të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo qytetar të papunë që pret me padurim krijimin e vendeve të reja të punës; pret të shohë realitet premtimet tona, të cilave ai u beson, krijimit të 250 mijë vendeve të reja pune në katër vitet që vijnë.
Përpara, për krijimin e 250 mijë vendeve të punës, në mandatin tonë të ardhshëm.
Zgjedhje të lira dhe fitorja jonë janë vendimtare për çdo qytetar që punon sot dhe për çdo pensionist shqiptar, të cilët meritojnë rroga dhe pensione më të mira dhe që besojnë tek ne, sepse dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet e ulëta dhe duam të ecim përpara për rritjen e mëtejshme, më të madhe të rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Zgjedhe të lira dhe fitorja e 23 qershorit janë vendimtare për çdo shqiptar që beson se e ardhmja më e ndritur e tij, e fëmijëve dhe vendit të tij është integrimi i Shqipërisë në Evropë”, deklaroi kryeministri Berisha.

Përshëndetjet për 22 marsin
Në këtë koncert festiv, përshëndeti dhe studentja Dajena Alushi, e lindur në 22 mars 1992. Ajo shprehu mirënjohje veçanërisht për mundësitë i janë dhënë asaj, si edhe çdo të riu shqiptar, për t’u shkolluar dhe për të studiuar në universitetet që dëshirojnë.
Ndërsa ish kryetari i Partisë Demokratike, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar, Eduard Selami do të shprehej se, “rrugëtimi i Shqipërisë nën qeverisjen e Partisë Demokratike, është një sukses që meriton vazhdimësinë. Është një rrugë e suksesshme të cilën ne do ta vazhdojmë”, u shpreh Selami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›