KQZ vështirëson rrugën e referendumit për plehrat, Ristani i kthehet fjalorit të tij
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hapur dje rrugën fillimit të procedurave për zhvillimin e një referendumi popullor kundër importit të plehrave. Mesditën e djeshme KQZ ka pranuar kërkesën e Aleancës kundër importit të plehrave, por nga ana tjetër ka rënduar procedurat që duhet të ndiqen për marrjen e firmave. Krahas firmosjes së formularit tip F-01 që është miratuar nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve, të gjithë firmëtarët duhet që të lënë një kopje të kartës së identitetit ose të pasaportës për tia bashkëngjitur fletës për mbledhjen e nënshkrimeve për referendum. Një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridjan Salianji dhe përfaqësuesit e Aleancës kundër importit të plehrave. Ndërsa ideja për shtimin e dokumentacionit që duhet të dorëzohet për të miratuar referendumin popullor ka ardhur nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti. Ky i fundit ka hedhur hije dyshimi mbi vërtetësinë e firmave që do të dorëzohen./shekulli
Batutat në mbledhjen e djeshme të KQZ
Arben Ristani: Ekziston fakti që të mblidhen firma që nuk janë të vërteta. Nënshkrimet depozitohen në KQZ. Një nga këto firma mund të verifikohen nga laboratori kriminalistikes nëse rezultojnë firma të hedhura nga e njëjta dorë apo jo.
Lavdosh Feruni: Nuk jemi në çështje kriminale. Nuk janë kriminelë të gjithë.
Eridjan Salianji: Të nxjerrësh procedura penguese është një mënyrë e kulturuar për të mos e dhënë formularin. Ju keni detyrimin që brenda 20 ditëve duhet të jepni formularin.
Arben Ristani: Gri sallatë gri.
Eridjan Salianji: Sallatën e ke përpara ti.
Arben Ristani: Kush tha që kërkojmë të rregullojmë disa procedura?
Eridjan Salianji: Ju thatë që për të verifikuar firmat duhet të bëhet një akt nënligjor.
Arben Ristani: Mos ke pi që në mëngjes?
Eridjan Salianji: Ashtu të duke ty, mendjen tek pija e ke, faqoren me alkool që ke në xhep të duket sikur e kanë edhe të tjerët.