E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ voton sot për kërkesën e PR-së për të propozuar komisionerë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili tashmë përbëhet vetëm nga katër anëtarë, pritet të miratojë sot kërkesën e Partisë Republikane, si e dyta parti më e madhe në koalicionin e djathtë që të propozojë  komisonerë të nivelit të dytë dhe të tretë.

Partia Republikane ka paraqitur në KQZ një kërkesë nëpërmjet të cilës kërkon të caktohet si parti, e cila ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtar në KZAZ, KQV dhe të marrë pjesë në shortin për propozimin e anëtarit të GNV-së. Kërkesën e saj Partia Republikane e mbështet ne fakti se, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila deri tani është radhitur si parti e shumicës parlamentare ka bërë të njohur publikisht daljen e saj nga partite që i përkasin shumicës parlamentare. Në këto kushte sipas kërkesës së Partisë Republikane, kjo parti renditet e dyta ndër partitë që i përkasin shumicës parlamentare dhe i lind e drejta të propozojë anëtar në KZAZ, KQV dhe GNV, thuhet në projektvendimin e administratës së KQZ.

Gjithashtu në projektvendim theksohet se nisur nga fakti se Partia Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi largimin e saj nga grupi i partive që i përkasin shumicës parlamentare, rezulton se vendimi i KQZ-së nr. 1, datë 7.01.2013 pjesërisht nuk i përgjigjet më rrethanave apo kushteve konkrete, duke u bërë njëkohësisht edhe pengesë për rregullimin e mëtejshëm të marrëdhënieve juridike, pasi me kushtet e reja të krijuara, prish pikërisht baraspeshimin politik shumicë-opozitë në përbërjen e KZAZ-ve.

Në këto kushte KQZ si organi administrativë i cili ka nxjerr vendimin nr. 1, datë 7.01.2013 Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë  të KZAZ-ve për Zgjedhjet për Kuvend të datës 23.06.2013 në bazë të nenit 121 të Kodit të Procedurave Administrative ka të drejtë të bëjë ndryshimin e tij, në mënyrë që të respektojë dispozitat e Kodit Zgejdhor për sa i përket përbërjes së KZAZ-ve, thuhet në projektvendim.

Gjithashtu në rendin e ditës të KQZ-së janë edhe:

1. Shqyrtimi i Projekt-vendimit: Për rregjistrimin e Komitetit Nismëtar i cili do të organizojë punën për paraqitjen e zotit Sazan Guri si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në Zonën Zgjedhore Tiranë, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.06.2013.

2. Shqyrtimi i Projekt-vendimit: Për miratimin e modeleve të dokumentacionit të punës së KQV-së, për zgjedhjet për Kuvendin të datës 23.06.2013.

5. Shqyrtimi i Projekt-vendimit: Për miratimin e Manualit të KZAZ-ve, për zgjedhjet për Kuvend, datë 23 Qershor 2013.

4. Shqyrtimi i Projekt-vendimit: Raporti i audituesit mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, për periudhën 03.03.2013-03.04.2013.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›