Inagurohet impianti i Durrësit, Berisha: Guroret e Krujës i krijoi Rama dhe klani i tij
Kryeministri Berisha inauguroi sot impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, një investim me vlerë 11 milionë euro, i financuar nga qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe qeveria e Luksemburgut. Berisha vlerësoi se me këtë impiant Durrësi do të hyjë në hartën e qyteteve me ujërat më të pastra të rajon dhe në Evropë, si dhe do të rrisë në mënyrën më të ndjeshme kapacitetet turistike.
Qeveria shqiptare e konsideron mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit si një kusht vendimtar për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, një kusht vendimtar për mbrojtjen e shëndetit për qytetarët shqiptarë, tha kryeministri, ndërsa theksoi se gjatë këtyre viteve janë investuar për ujësjellës-kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave të zeza 55 miliardë lekë.
Berisha nuk ka harruar të sulmojë dhe kreun e opozitës Edi Rama, që sipas tij ka krijuar guroret e Krujës. Atij që bërtet çdo ditë për guroret e Krujës i them nga këtu: ato vërtetë janë të shëmtuara, por ato i krijove ti me klanin e betonit tënd në Tiranë. Edhe jo vetëm ato, por dua të rikujtoj këtu furrat e tmerrshme të gëlqeres, të cilat shpërndanin mbi Krujë dhe Tiranë blozën kancerogjene në mushkëritë e çdo qytetari. Ato nuk janë më. Ne do të bëjmë gjithçka që edhe ato plagë që janë hapur nga babëzia ti mbyllim, ti shërojmë. Politika jonë ndaj mjedisit është politika më serioze, është politika në të cilën ne i besojmë parimit mjedisi është jeta! Mbrojta e tij është e barasvlershme me mbrojtjen e jetës, tha Berisha.
Impianti, i ndërtuar në një sipërfaqe prej 65 hektarë, ka teknologji të një shkalle të avancuar që bëjnë të mundur pastrimin e ujit deri në nivelin 97 përqind dhe mundëson edhe përfitimin e biogazit, i cili do të mbulojë nevojat e impiantit për energji elektrike deri në masën 30 përqind. Me ndërtimin e tij është premtuar se vija bregdetare e Durrësit do të pastrohet në mënyrë përfundimtare nga ujërat e zeza. Durrësi është një ndër qytetet kryesore turistike të vendit, ka një popullsi prej 205.000 banorë dhe në periudhën e sezonit turistik arrin shifrën prej 600.000 banorë.
22 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Inagurohet impianti i Durrësit, Berisha: Guroret e Krujës i krijoi Rama dhe klani i tij burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email