E Diel, 1 Nëntor 2026

KUTITE E ZEZA DHE E ZEZA DREJTESI

Atje ku nuk ekzistojnë gjykatat e pavarura nga politika, Kushtetuta, drejtësia dhe ligji janë të dënuara të shërbejnë si gjethe fiku e dhunimit të ligjit nga despotët e politikës. Pikërisht një maskaradë e tillë po ndodh këto ditë në Shqipëri pleksur me çështjen e hapjes së disa kutive të votimit që e ka futur vendin në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Pasi ka mundur të shantazhojë dhe kapë me njëmijë mënyra, të hapura dhe të fshehta gjykatat, Kryeministri Sali Berisha refuzon një transparencë kutish, që nuk mund të mos nxjerrë në shesh vjedhjen e votave nga partia e tij (por jo vetëm nga ajo) me pretekstin e respektimit të Kushtetutës, ligjit dhe vendimeve të gjykatave. Tallja e Berishës është groteske? Një autoritarist me damkë që gjen mbrojtje te drejtësia për atë që dyshohet shumë si një vjedhje e vullnetit publik, që nxjerr drejtësinë, ligjin kundër transparencës pasi ka bërë gjithçka për të skllavëruar drejtësinë!

Sikur të qe fjala vetëm për lidershipin e PS-së dhe aq më tepër vetëm për Edi Ramën, tallja e Berishës do të qe një bumerang i merituar i një verbërie, naiviteti, si dhe kostoje politike e pazareve të shëmtuara të bëra me Berishën për gjithë reformën zgjedhore. Por problemi është se çështja e hapjes së kutive ka të bëjë me shkatërrimin e një sistemi të konsoliduar vjedhjeje të ndërtuar nga politikanë si Berisha në këto 20 vjet, si dhe me ndërtimin e një sistemi tjetër të mbrojtjes së votës, i cili duhet të funksionojnë edhe sot kur në pushtet janë berishët, por edhe nesër kur në pushtet mund të jenë ramët a kushdo tjetër. Kohët kanë treguar se liderët shqiptarë flasin për lirinë e votës dhe kundër vjedhjes së saj, vetëm kur janë në anën e humbësit, të atij që është vjedhur më shumë nga kundërshtari dhe që ka mundur ta vjedhë më pak kundërshtarin. Prandaj lufta e Ramës kundër vjedhjes së votës sot, duhet shfrytëzuar, pa fryrë kultin e shpëtimtarit të votës së lirë, për krijimin e një sistemi që do ta mbronte votën nga vjedhja prej një pushteti të Ramës apo kujtdo tjetër qoftë nesër. Lufta e opozitës sot është vetëm një faktor për çlirimin e votës. Por atë nuk mund ta sjellë vetëm opozita. Aq më tepër vetëm Rama. Sistemi i votës së lirë nuk do të instalohet kurrë pa u instaluar edhe sistemi i drejtësisë së pavarur. Realizimi i kërkesës së opozitës për hapjen e kutive, është vetëm një hap në drejtimin e duhur.

***

Kur Kryeministri Berisha del dhe deklaron se nuk mund të hapë kutitë, duke dalë mbi vendimin e gjykatave, ai lë në heshtje një fakt tronditës, që është edhe themeli i kërkesës së opozitës për transparencë. Ky fakt është dhunimi i ligjit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kapur nga shumica berishiste. Sepse Kodi Zgjedhor, në nenin 138, thotë në mënyrë të qartë dhe pa ekuivokë: "Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të kërkuara". Dy anëtarë të KQZ-së kanë kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa qarqe dhe që do të thotë, rinumërim të votave të caktuara.

Por krejt në dhunim të hapur të ligjit, shumica berishiste në KQZ vendosi të mos i hapë kutitë sikundër detyronte ligji. Mjerisht, si për të shtuar një provë më shumë sesa thellë ka depërtuar kapja prej politikës në sistemin e drejtësisë, ishte edhe gjykata e apelit pranë Kolegjit Zgjedhor, ajo që hodhi përsëri poshtë kërkesën e ligjshme të opozitës, duke qëndruar ekzaktësisht në një linjë me shumicën berishiste në KQZ. Përkimi i vendimeve të këtyre dy institucioneve nuk është aspak i rastit. Prapa tyre qëndron dora, herë e dukshme dhe herë e padukshme, e Berishës. Po të kishim pasur një KQZ apo Kolegj Zgjedhor të pavarur nga politika, ndoshta sot nuk do të ishim në krizë politike. Dhe nuk mund të mos jenë qesharake avokatia që Berisha përpiqet t‘i bëjë vendimit të Kolegjit Zgjedhor që hodhi poshtë kërkesën e opozitës, sepse nuk paska pasur kundërshtime të fiksuara në dokumentacionin zgjedhor nga komisionerët e opozitës.

Sepse kërkesa për hapjen e kutive u fiksua në Kodin Zgjedhor pikërisht për të parandaluar shitblerjen e komisionerëve, gjë që thuajse kushdo e di, se ka ndodhur rëndom në të gjitha proceset e numërimit si një korruptim që e bën vjedhjen më të sofistikuar, pa lënë gjurmë. Komisioneri shitet, mbyll sytë para vjedhjes së votës dhe më pas nënshkruan një procesverbal sikur gjithçka ka shkuar në rregull. Dhe nuk ka rrugë tjetër për t‘i dhënë fund kësaj të keqeje, kësaj vjedhje të votës pa lënë gjurmë, kësaj vjedhje me "dokumente të rregullta" të vullnetit publik përveçse me transparencë. Prandaj dhe u hartua neni që detyron hapjen e kutive të votimit me kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së. Në këtë rast, kutitë që do të hapen do të jenë si ato kutitë e zeza të avionëve të rrëzuar, që do të na tregojnë se përse ranë... zgjedhjet. Eshtë një proces që hap shumë telashe? Pa dyshim. Por a ka telash më të madh për demokracinë sesa të lësh në këmbë një mekanizëm që sjell në pushtet një qeveri që nuk e ka merituar, por e ka vjedhur votën e qytetarëve? A mund të presë publiku mirëqeverisje nëse pushteti nuk është meritë, por vjedhje? Vota e vjedhur është fundi i çdo morali, i çdo ligji, i çdo legjitimiteti apo Kushtetute. Askush nuk mund të qeverisë normal me një dyshim apo akuzë të tillë mbi shpinë. Çdo pushtet që është fituar me meritë duhet të vraponte të hapte kutitë, t‘i tregonte në dritë të diellit popullit se nuk ka vjedhur, t‘i tregonte duart e pastra. Të mos hapësh kutitë do të thotë të fshehësh duart. Dhe këtë po bën Berisha.

***

Berisha dëshmon, edhe një herë, se është një kalkulues shumë i mirë i zhvillimeve të afërta, se e zotëron intrigën dhe teknikën e kurthit politik dhe mashtrimit të kundërshtarit shumë më zhdërvjellët se Rama. Duket se kur, në pazar me Ramën, ka rënë dakord që në Kodin Zgjedhor të futet neni 138 (dhe përflitet se Berisha ia ka bërë këtë lëshim opozitës duke përfituar prej saj ndryshimin e Kushtetutës lidhur me mocionet për Kryeministrin), Berisha ka llogaritur edhe kapjen e KQZ-së, si edhe të Kolegjit Zgjedhor. Krejt në të kundërt, me naivitet dhe verbëri të pafalshme, Rama ka mbetur i kënaqur nga ai nen që sot hidhet në koshin e plehrave nga një KQZ dhe "drejtësi" e padrejtë. Pse? Aspak se besonte te drejtësia, te pavarësia e KQZ-së apo e Kolegjit Zgjedhor. Rama, krejt njësoj si Berisha, nuk e do drejtësinë të pavarur, por të varur nga pushteti i tij. Shpresonte se atë vartësi që KQZ-ja po tregon sot ndaj Berishës, do ta tregonte ndaj tij në momentin që do të bëhej e qartë fitorja e pritshme, madhështore. Besimi i verbër në një fitore të thellë, tej së majtës dhe së djathtës, e bëri të mos e vrasë shumë mendjen për ato hallka drejtësie që e bëjnë nenin 138 një mbrojtës të vlefshëm të votës së lirë.

***

Gjithsesi, të ndodhur midis dy të këqijave, qytetarët, ata që vërtet duan që e drejta të qeverisë politikën dhe jo politika të drejtën, ata që duan një sistem që garanton paprekshmërinë e votës, pavarësisht vullneteve të liderëve, pavarësisht asaj që duan Rama apo Berisha, duhet të shfrytëzojnë luftën e njërit kundër tjetrit, ambicien e njërit kundër tjetrit, për të arritur qëllimin publik që është krijimi i sistemit të qeverisjes së votës që funksionon pavarësisht planeve të qeverive apo opozitave. Në këtë kuptim, duhet denoncuar demagogjia e Sali Berishës, se gjoja transparencën për votën e lirë, transparencën që do t‘i jepte një grusht dërrmues një tradite 20-vjeçare grabitjeje të votës, e pengoka Kushtetuta e Republikës. Eshtë krejt e kundërta, Kushtetua e Republikës sanksionon zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra që vota e qytetarit të mos vidhet. Prandaj, Kushtetuta është edhe një nxitje dhe jo një pengesë për transparencën e hapjes së kutive. Transparenca ka qenë, është dhe do të jetë e mira e popullit. Prandaj, të dalësh dhe të thuash se për një gjë të tillë na pengon Kushtetuta, është njësoj si të përsërisësh Enverin që deklaronte se nuk na lë Kushtetuta të marrim kredi nga jashtë apo të bëjmë zgjedhje pluraliste. Dhe e dënoi popullin të hajë bar për dekada nën udhëheqjen e një partie të vetme. Në fakt, Kushtetuta nuk lejonte, sepse nuk donte Enveri. Sepse Kushtetuta ishte Enveri. Dhe thoshte se ajo qe vullneti i popullit. Por Berisha ia ka kaluar Enverit. Ai nuk e ka shkruar vetë këtë Kushtetutë. Madje e ka kundërshtuar, derisa arriti ta korrigjojë disi më 21 prill. E, megjithëse nuk e ka shkruar vetë Kushtetutën, e bën të flasë si do ai, kundër transparencës, kundër interesit publik. Sepse ka kapur drejtësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›