E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mou: Milani historik ndaj Realit, njësoj si përballë Zyrihut...

Zhoze Murinjo është pragmatik: "E rëndësishme është të vazhdojmë të fitojmë. Ka kohë deri në fund të kampionatit, por nëse qëndrojmë në kryesim është gjithnjë më mirë. Kemi dy ndeshje në shtëpi, por Katania e Palermo nuk janë skuadra të lehta". Ndryshim filozofie do të thoshit ju, por praktika është realiste. Mou grumbullon Eto‘o dhe ndihet i lehtësuar, por heq dorë nga Thiago Mota, Milito, Kambiaso e Samuel. Pasojë e Champions. "Shpresoj t‘i kem të gjithë për të enjten ndaj Palermos". Por tema më e nxehtë është gjithnjë Champions. Murinjo ka të drejtë për ndeshjet në grupe: "Perspektiva Kiev? Tani nuk po mendoj për të. Do ta bëj kur të vijë koha. Po skuadra a mendon? Shpresoj që jo, shpresoj se mendon si unë, sepse sot ndeshja më e rëndësishme është ajo kundër Katanias". Pauzë. Pastaj shton: "Flasim për Champions, por vetëm për të thënë se grupi ynë është i vështirë dhe i ekuilibruar. Dhe se të gjithë kemi të njëjtat mundësi për t‘u kualifikuar. Unë besoj". Mos i flisni për Tardelin në lidhje me "Dna" europiane. "Nuk dua t‘ia di për asgjë, as për Tardelin, as për asnjë person tjetër në botën e futbollit. Mua më intereson ajo që mendoj unë", e pret shkurt ai. Dikush në konferencën për shtyp i kërkon një mendim për Milanin e Madridit. "Nuk e kam parë, por jam i lumtur. I lumtur për Leonardon, për lojtarët dhe për futbollin italian". Dhe atij që insiston rreth vështirësive të skuadrës së tij në Champions, i kundërpërgjigjet kështu: "Presione psikologjike? Milan, sikurse ka fituar një ndeshje historike me Realin, ashtu e ka humbur një historike në shtëpi ndaj Zyrihut. Milani është pranë kualifikimit, një barazim mund t‘i mjaftojë; nëse do të kalojë do jem i lumtur për ta. Ne kemi nevojë për dy fitore, mendoj se do t‘ia dalim". Nuk do të ikë te Liverpuli: Reds të dashuruar pas meje? Unë te Liverpuli? E pamundur". Atij i intereson vetëm Katania: "I kam studiuar në tri ndeshje të ndryshme. Do të jetë një ndeshje në të njëjtën linjë me ato në ‘San Siro‘. Të gjitha skuadra fizikisht të ashpra dhe të forta. Me një trajner, i cili studion mirë karakteristikat tona. Ata kanë menduar gjithë javën vetëm për këtë ndeshje. Skema romb apo pemë krishtlindjesh? Do të më pëlqente ta di se si do të luajë Katania, ndaj nuk e them. Skuadra do të marrë vesh gjithçka vetëm gjysmë ore para ndeshjes". I aftë të anashkalojë pyetjet mbi Moratin: "Komentet e presidentit nuk i komentoj, ai thotë atë që do dhe unë e respektoj". Në fund një "grusht" për Balotelin. "Në Xhenoa ka bërë gjëra të bukura, pastaj ka bërë një javë të keqe në stërvitje. Nuk kam alternativa, duhet të luajë me detyrim. Përse ky alternim i paraqitjeve dhe i formës? Kam folur me trajnerin e të rinjve; duket se është një problem i gjeneratës, një problem që u përket personave që rijnë rreth djemve të kësaj gjenerate. Dhe këta djem janë më shumë viktima sesa fajtorë. Kohë më parë, lojtarët e kësaj moshe ishin burra, ndërsa sot mendojnë vetëm për paratë dhe për makinat e bukura".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›