E Shtunë, 31 Tetor 2026

KVV: Të miratohen anëtarët e rinj të KQZ-së

Koalicioni i vëzhguesve vendorë në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, krerëve të partive politike dhe ambasadorëve të akredituar në vend kërkon miratimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
 

Gjithashtu në letër, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë shpreh vlerësimin e tij për angazhimin dhe vullnetin e treguar në miratimin me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
 

“Duke vlerësuar prononcimet publike të partive politike në lidhje me domosdoshmërinë e respektimit të ligjit në gërmë dhe në frymë, Koalicioni vëren me shqetësim se nuk është marrë asnjë hap institucional apo publik nga partitë politike parlamentare në lidhje me propozimet e tyre për gjashtë anëtarët e KQZ-së, ndërkohë që ky proces duhet të ishte mbyllur më datën 15 Shtator 2012” thuhet në letër.

Ja letra e plotë:

L E T Ë R E H A P U R

Drejtuar:

Znj. Jozefina TOPALLI, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

Z. Astrit PATOZI, Kryetar i Grupit Parlamentar të PD

Z. Gramoz RUÇI, Kryetar i Grupit Parlamentar të PS

Z. Lefter KOKA, Kryetar i Grupit Parlamentar të LSI

Anëtarëve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë

Z. Sali BERISHA, Kryetar i Partisë Demokratike

Z. Edi RAMA, Kryetar i Partisë Socialiste

Z. Ilir META, Kryetar i LSI

Z. Shpëtim IDRIZI, Kryetar i PDIU

Z. Vangjel DULE, Kryetar i PBDNJ

Z. Fatmir MEDIU, Kryetar i PR

Për dijeni:

Partive Politike në Republikën e Shqipërisë

Misionit të OSBE / ODHIR

Delegacionit të Bashkimit Europian

Zyrës së Këshillit të Europës

Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

E nderuar znj. Kryetare e Parlamentit!

Të nderuar Kryetarë të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë!

Të nderuar Kryetarë të Partive Politike Parlamentare !

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) një prej grupimeve më të mëdhenj të vëzhguesve vendorë që ka ndjekur zhvilllimin e procesve zgjedhore në vend që prej vitit 2005 (si KVV), ju shpreh vlerësimin e tij për angazhimin dhe vullnetin e treguar në miratimin me konsensus të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Duke sjellë në vëmendje tuaj, se përkushtimi dhe fryma e bashkëpunimit midis jush dhe përkushtimi ndaj zbatimit me korrektësi të ligjit është e vetmja mënyrë për zhvillimin e një procesi zgjedhor ligjor, demokratik, të drejtë dhe të ndershëm,

Koalicioni konstaton se pikërisht fillimi i procesit zgjedhor të ardhshëm me rindërtimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, sipas afateve të përcaktuar në ligjin e miratuar bashkarisht, është cënuar duke shënuar një precedent aspak pozitiv në lidhje me respektimin dhe zbatimin e ligjit në vijimësi.

Nga informacionet e marra, edhe në mbledhjen e djeshme të datës 17 shtator të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ende nuk ka asnjë datë të përcaktuar për futjen në rendin e ditës së miratimit të 6 anëtarëve të rinj të KQZ-së.

Duke vlerësuar prononcimet publike të partive politike në lidhje me domosdoshmërinë e respektimit të ligjit në gërmë dhe në frymë, Koalicioni vëren me shqetësim se nuk është marrë asnjë hap institucional apo publik nga partitë politike parlamentare në lidhje me propozimet e tyre për gjashtë anëtarët e KQZ-së, ndërkohë që ky proces duhet të ishte mbyllur më datën 15 Shtator 2012[1].

Pavarësisht se zgjedhja e anëtarëve të rinj të KQZ-së është një kompetencë eskluzive e Partive Politike, Koalicioni në frymën e ligjit në lidhje me pavarësinë dhe integritetin e tyre si edhe me synim rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut, i sugjeron partive politike që të shpallin sa më parë kandidaturat e tyre si dhe të bëjnë publike vlerësimin e tyre në lidhje me integritetin dhe aftësitë e këtyre kandidaturave në përmbushje të detyrës si administrator të lartë të zgjedhjeve, në mënyrë të pavaruar, të paanshme dhe vetëm në zbatim të ligjit.

Përsa i përket Kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Koalicioni e konsideron procedurën e zgjedhjes së tij dhe sidomos heqjen e së drejtës së partive politike për të propozuar kandidatura, si një mundësi mjaft të mirë për të vënë në rrugën e duhur depolitizimin dhe funksionimin në mënyrë të paanshme dhe jo partizane të KQZ-së.

Në lidhje me këtë proces, Koalicioni i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që të bëjë sa më transparent dhe sa më jopolitik procesin e përzgjedhjes së Kryetarit të ardhshëm të KQZ-së.

Në këtë frymë, Koalicioni i sugjeron Kuvendit që të bëjë publike të gjitha kandidadurat e paraqituar në sekretarinë e Kuvendit si dhe të organizojë një proces sa më të drejtë, konkurrent dhe aspak të ndikuar nga anësitë partiake.

Për të rritur integritetin e procesit dhe besimin ndaj tij, Koalicioni sugjeron organizimin e seancave publike dëgjimore me të gjithë kandidadët e paraqitura që plotësojnë kriteret ligjore të parashikuara[2].

Gjithashtu, Koalicioni i sugjeron Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, si organi që përzgjedh dhe i propozon Kuvendit kandidaturat finale për Kryetar të KQZ-së, që në frymën dhe në zbatim të ligjit të miratojë dhe të bëjë publike paraprakisht kriteret mbi të cilat do të organizohen seancat publike dhe mbi të cilat do të bëhet vlerësimi i kandidatëve, si vizioni, eksperienca, apo çështje të tjera që lidhen direkt apo indirekt me administrimin e një procesi zgjedhor konform standarteve dhe aspiratave demokratike të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Në të kundërt, një votim tërësisht politik, partiak dhe i paargumentuar mbi kritere të qarta e vizionare, do të delegjitimojë në thelb qëndrimet publike të partive politike në lidhje me standartet e realizimit të procesit zgjedhor si dhe do të shuajë shpresën e rradhës për mundësinë e përfshirjes të kontriubuteve jashtë politikës në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve të pavaruara.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›