Ka lexuar mbi 300 tituj librash – 16 vjeçarja, Aleksandra Pano ka publikuar 3 romane

16 vjeçarja Aleksandra Pano, është një shkrimtare e re e cila premton shumë për të ardhmen. Deri më tani ajo ka botuar 3 romane për fëmijë, teksa shumë shpejt do të botohet edhe romani i katërt.
Shënimet në ditar ishin pikënisja e një rrugëtimi të gjatë të bukur e plot sfida në fushën e letërsisë për Aleksandrën e cila lidhjen me shkrimin e pati që në moshën 10 vjeçare.
Edhe pse adoleshente synimi i saj është i qartë dhe lidhet ngutësisht me shkrimin, ajo tregon me pasion dhe krenari për librat dhe po ashtu zbulon mendimet apo edhe kritikat e bashkëmoshatarëve të saj.
Mbështetja më e madhe për Aleksandrën janë prindërit, të cilët e shoqërojnë kudo. Ata janë lexuesit dhe kritikët e saj të parë.
Për Aleksandrën, stina e verës nuk është sezon pushimi, pasi ajo e shfrytëzon kohën për të lexuar tituj të ndryshëm. Aleksandra tregon se ka lexuar mbi 300 libra. Por sa lexojnë bashkëmoshatarët e saj, Aleksandra e ka një përgjigje.
“Përsa i përket pjesës së leximit, të jem e sinqertë shumicën e librave, sidomos ato të programit shkollorë mendoj se shumica nuk i lexon se ka dëshirë, por thjesht se e kanë pjesë të programit dhe duhen lexuar me patjetër. Por ka edhe bashkëmoshatare të miat që lexojnë libra jashtëshkollore , me ato bëj biseda të ndryshme”, shprehet ajo.
E re në moshë, por edhe në botë e letërsisë, Aleksandra premton për vazhdimësi në shkrimin e romaneve për të rinjtë.
/rtsh.al/