E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ka uri seksuale dhe hahet pak art

Shqetësimet e një kineasti të ardhshëm: kaosi i një qyteti ku nuk konsumohet kulturë, tensionet e një tranzicioni të tejzgjatur që provokojnë vetëvrasje dhe njerëz që sillen si spektatorë.


Gentian Koçi, me filmin e prodhuar si student i Akademisë "Marubi", shpallet fitues në Prizren i filmit më të mirë Nacional


"Shqiptarët kanë një uri seksuale dhe konsumojnë pak art". Kjo modus vivendi apo mënyrë jetese e një pseudoqyterarie në një tranzicion pa fund e anë, është burim të këqijash për tridhjetëvjeçarin Gentian Koçi, i cili më 9 gusht u vlerësua në Prizren në edicionin e tetë të DOKUFEST-it, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër.


"Antena" ka konkurruar në seksionin e filmit Nacional, dhe juria e ka vlerësuar për të gjithë elementët filmikë.


Megjithëse krijim i një grupi studentësh të Akademisë "Marubi", filmi në fjalë, i shkruar dhe i drejtuar nga Koçi me aktorë të ndjerin Tonin Ujka dhe Neritan Liçajn, ka konkurruar në disa festivale si film profesionistësh. Është historia e Paskalit, një ish-gjeneral në pension, i mbetur i vetmuar dhe i braktisur që pret t'i telefonojë një ditë i biri emigrant në Angli.


I vetmi që i telefonon përditë është Pjetri, pronari i një agjencie, i djegur që të blejë sa më parë shtëpinë e Paskalit.
Prej një jave, autori i tij ka mbyllur ciklin e formimit akademik tek "Marubi", me një "vepër pesimiste", dhe shumë shpejt, që të bëjë kinema, do t'i duhet të përballet me "ujqërit e vjetër" dhe manarët e rinj të skenës së ngushtë kinematografike shqiptare.


Urime për çmimin Nacional në Prizren. Është një punë shkolle që garoi me profesionistë, apo jo?


Përveç aktorëve që nuk janë paguar - kjo duhet thënë, sepse ne filmat i bëjmë pa buxhet, - gjithë filmi është xhiruar me ekipin e shkollës, Akademia e Filmit & Multimedias "MARUBI" me djemtë e klasës sime: Royald Elezajn, Enkel Gurakuqin, Roard Gjermenin, Arianit Gjonbalajn etj.. U ndjeva mirë në Prizren, sepse u vlerësua jo vetëm puna ime, po e të gjithë kolegëve. Është një çmim që ia kushtoj kujtimit të Tonin Ujkës.

Trego diçka për realizimin.
Filmi është xhiruar në vitin 2008. Më 15 mars, ndërsa ndodhi shpërthimi në Gërdec, ishim duke realizuar një nga skenat më të vështira, kur Tonin Ujka duhej të futej në arkivol i gjallë. Në atë moment shtëpia u drodh, një vilë e vjetër me arkitekturë italiane pranë ish-Ekspozitës "Shqipëria Sot".


Më duket se edhe ajo gjë e bukur do të pësojë fatin e shumë territoreve në Shqipëri, do të bëhet pallat. Kisha frikë që ai shpërthim do të ndikonte në punën tonë, por Tonini u tregua profesionist i vërtetë, ishte edhe më i mbushur për të realizuar skenën e të vdekurit për së gjalli.

Pak më muaj më vonë ai vdes.
Tonin Ujka ndërroi jetë një ditë para premierës së filmit, më 1 korrik 2008. Është një aktor shumë i mirë dhe ka bërë një rol të vështirë, të një gjenerali në pension të braktisur nga shoqëria dhe nga i biri që jeton në emigracion. Ai do të varroset i gjallë. Ishte një rikthim i Tonin Ujkës në kinemanë shqiptare.


Historia e "Antenës" si ka lindur?


Unë asnjëherë nuk e kuptoj se si lindin idetë brenda meje, që pastaj fillojnë e përpunohen. Ndoshta ka qenë një moment imi emocional që ndihesha si i vdekur për së gjalli. I thashë bashkëskenaristes së tij këtij filmi, Bora Ylli, se dua të bëj një film për një njeri që varros veten i gjallë.

Këtë metaforë ti e ke sjellë direkt.
Ka shumë forma për të sjellë një metaforë. Unë nuk jam për formën e drejtpërdrejtë. Por filmi ka disa shtresa që lëvizin paralel me linjën kryesore dhe kështu që unë zgjodha të kisha nëntekstin tek këto linja dhe jo në linjën kryesore.

Me këtë film ti bëre shkëputjen nga "Marubi"?


Ky është filmi i vitit të dytë, unë shkëputjen e kam bërë me filmin e fundit, filmi i diplomës, që premierën e ka pasur para një jave. Titullohet "Për ters atë çast". Kam marrë shkas nga një ngjarje e vërtetë. Një njeri në gjendje të rëndë psikike - duhet ta keni dëgjuar - dogji veten të gjallë në Parkun Rinia.


Ajo ngjarje është xhiruar nga një kalimtar me celular dhe e ka shpërndarë nëpër telefona, ndërkohë që edhe mediat e kanë marrë dhe e kanë transmetuar si lajmin e parë të ditës. Këtu lëviz filmi: bota mediatike dhe bota e njeriut.


Televizioni ynë është shumë i dhunshëm. Media dhe konkurrenca brenda saj se kush e ka lajmin e ditës, kush ka imazhet më të forta, ka bërë që ato të transmetohen në mënyrë të pafiltruar në çdo orë të ditës.


Dhe të mendosh që punën e diplomës e kam bërë nën presionin e problemeve që ka pasur "Marubi". Nga njëra anë duhej të shkruaja skenarin, nga ana tjetër duhej të mbronim shkollën.

Shumë skena më është dashur që t'i ndërpres, të rri tek gardhi i telave të rrethimit dhe të kthehem prapë në xhirim. Në fakt, kjo gjendje më ka dhënë një forcë shumë të madhe...Më duket pak absurde kjo lufta për territore që ndodh në Shqipëri, pushtimi ndaj hapësirave të gjelbra dhe lufta ndaj shkollës.

Ti si operator ke qenë vetë pjesë e atij sistemi që përmende?


Po kam qenë për tetë vjet një nga ata. Është edhe pjesa e shoqërisë shqiptare, e cila ngaqë po kalon një periudhë të stërzgjatur tranzicioni, e ka më të lehtë të bëjë spektatorin, se sa të analizojë pse ndodhin gjithë këto vetëvrasje. Jo vetëm kaq, por pasi ndodh e keqja, e shpërndajmë në celular si diçka funny.


Kjo më shqetëson.
Puna që unë kam bërë ka qenë shumë afër njerëzve, shumë afër dramave të njeriut. Kam prekur me dorë ngjarje dhe ua transmetoja të tjerëve nëpërmjet kamerës. Sot dua të merrem me të brendshmen e njeriut, me dramën e tij dhe nëpërmjet saj të them një mesazh.

Çfarë do të bësh tani që mbarove shkollën?


Për një regjisor, për një artist, asnjëherë nuk mbaron cikli i formimit. Kinemaja është pasioni im. Kam punuar si operator, jam marrë me kurimin e imazhit për një kohë të gjatë dhe nuk doja të bëja asnjë shkollë tjetër.


Unë kam pasur nevojë për një diplomë. Shkolla e filmit në Shqipëri nuk ka ekzistuar. Kur u hap "Marubi" m'u dha mundësia. Shpresoj që në të ardhmen të merrem me filmin.


Aktualisht po shkruaj një skenar për metrazh të gjatë. Ideja është e konsoliduar, kam bërë edhe trajtimin. Kam dy vjet që më shqetëson. Është një temë shumë problematike për shoqërinë shqiptare sot.

Je optimist?


Është jashtëzakonisht e vështirë të bësh film në Shqipëri. Unë, zakonisht, si natyrë jam pesimist dhe kjo ndjehet edhe tek filmat e mi. Po, jam optimist për kinemanë shqiptare, sepse shoh që po vjen një valë e re, që ndoshta akoma nuk është ndjerë.


Shoh që po formohen disa njerëz që mund të prodhojnë një kinema ndryshe, që mund të konkurrojë me botën. Shqipëria ka potencial, si për brezin e ri që po formohet, si për historitë pa fund. Këtu ka histori pa fund.

Ti ke thënë që koha e krizës është kohë e artë...
...për të bërë kinema. Mendoj se gjithë problemi është tek financimet, por duhen edhe ide të mira dhe pak përvojë. Asgjë nuk është e pamundur.

Ndihesh i çliruar nga shkolla dhe teoritë e saj?


Kanë qenë tre vjet intensive. Në shkollën tonë bombardohesh nga mëngjesi në darkë me kinema, me autorë shumë të mirë. Por tashmë kam edhe unë kinematekën time dhe librat për to.


Megjithatë, dy janë kineastët që unë veçoj: Andrea Tarkovski, që kanë bërë një kinema të jashtëzakonshme. Kur e shoh kinemanë e tij më frikëson. Mënyra se si e ndërton kuadrin, historitë që tregon, loja e aktorëve etj.


Është një regjisor i frikshëm në kuptimin e mirë të fjalës. Tjetri është një bashkëkohës, Lars Von Trier, një nga themeluesit e Dogmës, nga të preferuarit e mi për momentin.

Para këtyre je rritur edhe me kinema shqiptare.
E kam ndjekur kur kam qenë i vogël. Për këtë kinema, për të cilën ka kohë që thuhet se nuk duhet transmetuar, unë mendoj të kundërtën. Filmat e realizuar nga ish-Kinostudioja duhen transmetuar, sepse kineastët shqiptarë kanë bërë kinema të mirë në kohën që ka pasur një regjim represiv ndaj artit.


Po të vësh re, gjen të fshehur tek kjo kinema një nëntekst që ishte kundër sistemit dhe ideologjisë së kohës. Studentët e regjisë së filmit duhet t'i konsumojnë, sepse kanë çfarë mësojnë: skena masive shumë të mira, loja e aktorëve, mënyra si lëviz kamera etj.


Ç'mendon për filmat e studentëve të diplomuar prej të dyja shkollave, që tani projektohen të hapur për publikun?


Nuk do kisha dëshirë ta thosha opinionin tim, sepse, si natyrë, edhe ndaj punëve të mia jam shumë i pakënaqur. Gjithsesi, nuk më kanë pëlqyer punët e diplomave që kam parë, flas të shkollës tjetër. Kaq mund të them.

Ku je rritur, ku e ke kaluar fëmijërinë, rininë...?


Jam lindur në Tiranë. Babai im ka ardhur 16 vjeç nga Dibra. Jam rritur në Lagjen nr. 1 tek Poligrafiku. Prej aty kam pasur një kontakt shumë të mirë me natyrën. Domethënë, që i vogël jam mësuar të lëviz nëpër vreshta rrushi, nëpër pemë, nëpër hapësira të gjelbra.


Përveç qytetit që nuk ka qenë urban, me kaq shumë makina dhe njerëz, jam mësuar të lëviz nëpër ambiente, si për shembull Uzina e Autotraktorëve, që për mua ka qenë një gjë shumë e bukur, sepse ne futeshim nga një kapanon tek tjetri, nëpër makinat e mëdha. Kam pasur një fëmijëri të pasur dhe të bukur, që ndoshta do të më ndihmojë më vonë. Unë dua të bëj kinema për të treguar disa histori që i kam brenda vetes sime.


Adoleshenca më kapi ndërsa ndërroheshin sistemet. Pra, e kam jetuar pak regjimin, pak i mbaj mend radhët e qumështit, tollonat, po i mbaj mend. Me ndërrimin e sistemit, me gjithë ato lëvizje të mëdha që ndodhën, mendoja që gjërat do të bëheshin shpejt, njerëzit do të ishin të lirë të lëviznin.


Por kjo nuk ndodhi. Kemi 19 vjet në një tranzicion të stërzgjatur. Kjo ishte tema e filmit tim të diplomës: shqiptarët po akumulojnë pafundësisht stres dhe nuk e kuptojnë këtë gjë, një moment të caktuar shpërthejnë dhe kalojnë në vetëvrasje.


Nga gjithë trazirat dhe periudha e ndryshimit, më kujtohet shkatërrimi i shkollës së mesme, edhe femrat e linin shkollën. Ndodhi një lënie e shkollës në mënyrë masive. Pastaj vjen '97-a dhe s'po flas për të. Kam lëvizur një kohë në Europë, kam punuar, pastaj jam kthyer të punoj si operator në TV, fillimisht në "Vizion Plus" dhe Tv "Klan", për shtatë vjet.

Tirana duket se është burimi yt, të pëlqen qyteti?


Sa herë iki jashtë, më merr malli për Tiranën, por nuk më pëlqen. Për mua është bërë një qytet i pabanueshëm. Unë them që është një qytet me varre me kate, ku njerëzit shkojnë, punojnë gjithë ditën dhe futen e flenë brenda tyre. Sot në Tiranë nuk ka hapësirë të gjelbër, është një hapësirë kaotike me pallate, me arkitekturë të shëmtuar. Ky është një dëm shumë i madh, i pazhbëshëm.


Gjithë këto pallate nuk prishen dot më. Tirana është e mbipopulluar me një ndotje akustike mbi normalen, por ka gjërat e bukura: njerëzit janë shumë të ngrohtë, shumë të dashur.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›