E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enti i Banesave: Si dhe ku duhet të aplikoni

ELBASAN/ Do të jepen 50 apartamente me kosto të ulët për personat që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve


ELBASAN - 50 aparatamente pritet të blihen në tregun e lirë për një kategori të pastrehësh të qytetit të Elbasanit. Lajmi konfirmohet nga Enti i Banesave në Elbasan pas udhëzimit të mbërritur mbi strehimin nëpërmjet kredisë me interes zero për familjet e strehuara në shtëpitë e ish-pronarëve.


Enti Kombëtar i Banesave ka përcjellë pranë degës së Elbasanit shkresën sipas të cilës konfirmohet përfshirja e një shtrese të caktuar për t'u strehuar nëpërmjet skemës me kredi pa interes.

Kështu për Elbasanin janë konfirmuar se do të blihen 50 apartamente në tregun e lirë për të gjitha ata persona të kategorisë së parë ose që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve, objekt që me ligj i është kthyer këtyre të fundit.


Enti i Banesave në Elbasan deklaron se janë paraqitur disa persona që plotësojnë kriteret për të përfituar nga kjo skemë dhe janë duke u njoftuar pjesa tjetër që të paraqiten sa më shpejt për të plotësuar formularin dhe dokumentacionin përkatës. Kjo fazë do t'i bëjë ata përfitues nga kredia që ka marrë qeveria për strehimin duke përfituar këste për 30 vjet me interes zero.


Kriteret


Për të përfituar personat e kësaj kategorie që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe i paguajne ende një qira shtetit do të duhet të mos kenë në pronësi objekt banimi, certifikatë familjare të 31.12.1992; vërtetim negativ nga ZRPP-ja në emër të kryefamiljarit ose të anëtarëve të tjerë të familjes për mungesë prone të regjistruar apo në proces regjistrimi; statusin e të pastrehut, kategoria ish-pronë private, e lëshuar nga Këshilli Bashkiak.


Gjithashtu në Elbasan pritet të nisë procesi për plotësimin e dokumentacionit për strehimin në programin e kredisë të përfituar nga bashkia në bashkëpunim me ministrinë nëpërmjet një kredie të Bashkimit Evropian. Gjithsesi ende për këtë fazë nuk ka një start konkret.


Sipas specialistëve të strehimit pranë bashkisë, numri i kërkesave për strehim në Elbasan është i madh dhe duhet të shikohet me përparësi nga qeveria, pasi ka dhe shumë familje që jetojnë me një minimum jetese dhe nuk pajisen dot me strehim nga tregu i lirë i ndërtimeve.


Po kështu, ky qytet nuk u fut as në skemën e strehimit me kredi të butë ku u përfshinë shumë rrethe të tjera, ndër të cilat edhe Korça. Elbasani llogarit rreth 3 mijë familje të pastreha që bëjnë pjesë në disa kategori.

Ryshfetet


Kërkesat e shumta për strehim kanë bërë që të verifikohen edhe raste ryshfetesh me premtimin për të siguruar një vend në listë.


Kështu pak ditë më parë policia ndaloi një shtetas i cili është akuzuar për marrje mite (ryshfeti) për të përfituar strehim. Ai u cilësua rast sporadik, por ndaj tij u regjistrua edhe një tjetër denoncim po në këtë drejtim një ditë më parë.


Kështu 40 apartamentet e fundit të ndërtuara nga Enti i Banesave dhe të shpërndara nga Bashkia hasën në shumë ankesa për shkakun se kërkesat e qytetarëve ishin shumë të mëdha, ndërsa përfituesit ishin vetëm 40 kryefamiljarë. Për këtë çështje nisi edhe një hetim nga prokuroria, por mbeti vetëm në këtë kuadër pasi nuk u siguruan prova për abuzime.


Bashkia Elbasan në bashkëpunim me Entin pritet të ndërtojë apartamente të reja për t'i dhënë me qira, por edhe për t'ia kaluar si pronë nëpërmjet kredisë së butë dhe blerjes në tregun e lirë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›