Kabashi, 17-vjeçari që kërkohet nga Juventus
Elvis Kabashi, mesfushori shqiptar i Empolit, ka komentuar zërat që qarkullojnë në Itali, se karriera e tij mund të vazhdojë në radhët e “Zonjës së Vjetër”. 17-vjeçari nuk e fsheh dëshirën që t’i bashkohet gjigandëve italianë, të cilët janë të gatshëm të investojnë 2 milionë euro për gjysmën e kartonit të talentit. “Kam folur me menaxherin tim rreth këtyre zërave, tha Kabashi, megjithatë asgjë nuk është e sigurt. Natyrisht që kur përflitesh për interesimin nga një skuadër si Juventusi të bëhet qejfi, është diçka e bukur. Unë jam një mesfushor modern, që vrapoj, me teknikë dhe goditje të mirë. Idhulli im është Markizio, ndërsa skuadra e preferuar pikërisht Juventusi”, u shpreh ai. Emri, historia dhe rivaliteti te bardhezinjtë nuk e trembin Kabashin. Përkundrazi, ai shprehet i gatshëm për një sfidë të tillë, duke theksuar se ka bërë 12 vjet stërvitje dhe sakrifica për t’u përmirësuar, duke pritur një mundësi të tillë. “Stërvitem çdo ditë për të arritur majat, ky është synimi im”, nënvijëzoi më tej talenti, për të ardhmen e të cilit do të mësohet diçka më tepër në ditët në vazhdim. Megjithatë, të gjitha rrugët duket se e çojnë në Torino.