Morati fton Guardiolën tek Interi
Presidenti i zikaltërve po mendon ta rikthejë skuadrën në majë dhe këtë gjë do ta bëjë që nga stoli, ku mendon se emri më i përshtatshëm është ai i trajnerit aktual të Barcelonës
Pep Guardiola është gjithnjë në majë të listës së dëshirave të Masimo Moratit. Padroni i Interit kërkon me çdo kusht të joshë trajnerin blaugrana, i cili është në dyshim për të ardhmen e tij. Deklarata e tij “Nuk e di ende se çfarë do të bëj me të ardhmen time” i ka dhënë jetë zërave për një largim të mundshëm të tij nga ekipi blaugrana. Presidenti zikaltër ka në mendje një projekt gjigand për skuadrën e Interit që do të realizohet në gusht të këtij viti dhe bazohet në aktivizimin e futbollistëve të rinj. Mësohet se Masimo Morati dëshiron t’ia besojë këtë projekt trajnerit Pep Guardiola i cili kërkohet edhe nga Çelsi e Mançester Junajtid.
Prandaj, nëse Pep Guardiola do të dëshirojë të provojë një eksperiencë të re jashtë Barcelonës vitin e ardhshëm, Interi është i gatshëm të bëjë menjëherë një ofertë të majme.
Sipas rrjetit informativ “Mediaset”, Morati ka kontaktuar që më parë spanjollin që flet një italishte të shkëlqyer, duke e vënë në dijeni se ai dhe klubi i tij janë të gatshëm ta mirëpresin në çdo moment. Nga ana e tij, Guardiola duket se nuk ka më entuziasmin e mëparshëm në drejtimin e klubit më të suksesshëm të dekadës së fundit në Europë, por mbetet i rezervuar në lidhje me të ardhmen.
Gjithashtu, Mançester Junajtid mund të futet në garë, pasi zërat që Sër Aleks Ferguson mund të tërhiqet në fund të vitit, sa vijnë e përforcohen.
Merkatoja
Ndërkohë, Interi nuk është duke menduar vetëm për njeriun e ardhshëm që do të ulet në stol, por edhe për përforcimet e merkatos. Zhuan Zhesus, mbrojtësi i ri i Internacionalit është shumë pranë zikaltërve. Megjithatë, ndonëse pritet që marrëveshja të përfundojë në ditët në vazhdim, transferimi do të kryhet në verë, për t’i dhënë kohë të fitojë përvojë në kampionatin argjentinas. Më e vështirë duket rruga drejt talentit të Santos, Lukas. Por, është edhe Krasiç. Pavarësisht se Konte vazhdon ta mbrojë, e ardhmja e Milosh Krasiç është gjithmonë e më e largët nga Juventusi. Në këtë rrugëtim mund të gjendet Interi, me Ranierin që e ka dhënë pëlqimin e tij. Por në Torino preferojnë që lojtari të shitet jashtë, duke përjashtuar çdo hipotezë huazimi, pasi klubi dëshiron të arkëtojë jo më pak se 15 milionë euro.
Skuadra sot
Ndërkohë, lajmi i keq vjen nga reparti i avancuar. Në faqen zyrtare të klubit, bëhet e ditur se Diego Forlan i është nënshtruar disa seancash fizioterapie, për shkak të një dëmtimi që futbollisti pësoi ditën e martë në “Appiano Gentile”. Interi do të stërvitet në stadiumin “San Siro” në mënyrë që të testojë terrenin e ri përpara sfidës me Parmën. U stërvitën individualisht: Xhonatan, Uesli Shnajder dhe Emiliano Viviano ndërsa Mauro Zarate sapo është kthyer nga leja që mori posaçërisht nga Klaudio Ranieri me rastin e lindjes së vajzës së tij Mia.