Kabineti diskriminues

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, si institucion bibliotekar kryesor i vendit është duke diskriminuar studentet me probleme në të parë. Kabineti për të verbër, i cili ekziston në kuadër të BKUK, mbyllet në ora 16:00, ndërkohë sallat e tjera të leximit qëndrojë të hapura deri në orën 20:00. Halil Kurmehaj është jurist i diplomuar, i ka edhe 2 provime për ta përfunduar masterin në Fakultetin Juridik. Ai ka probleme me të parit, ngasë shikimin e ka humbur qysh herët. Halilit i është vënë një barrierë për sa i përket studimeve. Thotë se tërë ditën merret me projekte të ndryshme, kurse në orën 15:00 shkon për të studiuar në bibliotekë, por pohon se nuk bënë më shumë se një orë mësim.
“Deri rreth orës 16 merrem me projekt të ndryshe, pastaj shkoj për të studiuar në BKUK, pasi jam i anëtarësuar. Fiks, si të bëhet ora 16, punëtorja e kabinetit për të verbër na qet jashtë. Kam kërkuar disa herë sqarim, por më kanë thënë se kaq e ka orarin ajo. U kam thënë lëreni derën hapur se e mbylli unë kur të dalë Më kanë thënë se mund të vidhet ndonjë gjë, prandaj kabineti duhet të mbyllet në atë orë”, thotë për Indeksonline Halil Kurmehaj, duke shtuar se nuk po kërkon trajtim të veçante nga askush.
Ai thotë se edhe literaturën e siguron më vështirësi. “Literaturën e siguroj nga interneti në gjuhën angleze dhe gjermane”.
Diana Topalli, asistente administrative në BKUK arsyetohet se biblioteka i ka rregullat e veta. Sipas saj, punëtorja që është pranuar ne punë, në kabinet, punon nga ora 8:00 deri në 16:00, sipas Ligjit për shërbyes civil të Kosovës.
“Lidhur me pyetjet për kabinetin për te verbër, ju lutemi te kontaktoni me përfaqësuesit e Shoqatës se të Verbërve dhe me të Pamurit e Dobësuar të Kosovës, për arsye se ky kabinet është hapur në bashkëpunim me këtë shoqatë, dhe ata do të ju informojnë më në detaje edhe për orarin e punës, ne këtë kabinet”, thotë Topalli, duke mos treguar se sa është numri i studentëve të verbër që studiojnë në Kabinetin për të verbërit.
/Indeksonline/