E Diel, 1 Nëntor 2026

Kacavjerrje shtetarësh në KaraburunNga Lavdosh FerruniEdhe mali, edhe deti; edhe deti Adriatik, edhe deti Jon, edhe kocja e Dukatit edhe keci i Karaburunit, edhe shpella e Haxhi Alisë edhe Gjiri i Gramës. Me dy rreshta, ky është Karaburuni. Berdoja

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kacavjerrje shtetarësh në KaraburunNga Lavdosh Ferruni

Edhe mali, edhe deti; edhe deti Adriatik, edhe deti Jon, edhe kocja e Dukatit edhe keci i Karaburunit, edhe shpella e Haxhi Alisë edhe Gjiri i Gramës. Me dy rreshta, ky është Karaburuni.

Berdoja nga Dukati me banim në Tiranë, teksa piu shtruar një kafe me tre pleq të nderuar të Dukatit, z. Skënder Sheme, Nuro Kulluri e Sehit Beluli, ia doli të bëjë një skanim të shpejtë të pronarëve të Karaburunit me referencë të saktë toponimesh (Shih ç’doli nga skanimi: Maja e Thanasit - Miaj; maja e Bredhit -Gjikokaj; steret e sipërme - Kulluraj; steret e poshtme - Hibroj; steret e poshtme - Berdoj; Vali i sipërm - Çeloaliaj; Vali i poshtëm - Bozhanaj; Qafa e Koritës - Rrucaj; Qafa dhe Maja e Toçit - Petoshat; Maja e Shtjerrave - Qepaj; maja e Sinan Dukës Begaj; Maja e Hilqes - Gjipalaj; Faqja e Ravenës - Koshenaj, Muçostepaj, Peçulaj, Kulluraj; Maja e Çadëres - Bodoj; Kepi i Gjuhës - Hibroj, Kekaj, Dervishaliaj, Çapoj, Jazoj, Hoxhaj, Agohitoj;... dhe lista vazhdon me 34 toponime e me 41 fise). Kufijtë midis fiseve janë të ndara në mënyrë shumë të saktë me çinak (shenja të dallueshme natyrore, shekullore të pranuara reciprokisht nga fqinjët). Asnjë prej të zotërve nuk e di se që prej ç’kohe është zotërues i pasurisë së tij. Asnjë prej të zotërve nuk rezulton që t’i jetë dhuruar ndonjë pjesë e territorit të Karaburunit për merita të veçanta prej Stambollit gjatë kohës së okupimit 5-shekullor otoman. Asnjë dokument nuk ekziston që ndonjëherë në histori Karaburuni të ketë qenë pronë shtetërore. Karaburuni ka qenë dhe është pjesa territoriale më vitale e fshatit Dukat, ku kanë dimëruar dhe dimërojnë mijëra krerë të imta (para Luftës II Botërore, deri në 100 mijë krerë). Kufijtë e Dukatit kanë qenë dhe janë nga shpella e Haxhi Aliut në Veri, te Qafa e Çesarit në Jug, nga Gjiri i Gramës në Perëndim e në Barçalla në Lindje (vëmendje: të katër pikat enciklopedike). Vetë këto pika kufiri flasin shumë për historinë e Dukatit, por dhe për shtrirjen e madhe të territorit të tij, që vendasit e kanë shprehur në këngë, “Dukati gjysma e Misirit (Egjiptit)”. Kjo këngë më poshtë, tek karakterizon njerëzit në Dukat, thotë “.. se luftojnë e s’hiqen prapë, trima burra, trima gratë”. “Trimat” e Dukatit që ia kanë dalë të mbrojnë zotërimet e tyre në shekuj që nga romakët deri tek otomanët tani paradoksalisht u duhet t’i mbrojnë ato nga dyndja e shtetarëve të shtetit shqiptar. Dhjetëra prej dukatasve kanë që nga viti 1992 që enden pa u lodhur në kërkim të një certifikate për pronat e trashëguara, mbi të cilat vazhdojnë të punojnë e jetojnë si shumë e shumë breza të paraardhësve. Një e drejtë e pastër kushtetuese. (Në nenin 41 të Kushtetutës, pika 2 thuhet: “Prona mund të fitohet nga dhurimi, trashëgimia, blerja ose mënyra të tjera klasike të siguruara nga Kodi Civil”).

Të gjithë pronarët e Karaburunit e kanë të trashëguar kullotën e pyllin, siç u përmend, prej shekujsh. Shtetarët nuk mund të mos e dinë se para themelimit të shtetit shqiptar pronësia menaxhohej nga e drejta zakonore, ku rol rregullues kryesor kishte Kryepleqësia, e cila vendimmarrjet i “hipotekonte” me fjalën e thënë dhe jo të shkruar. Shtetarët e sotëm grabitqarë i thonë zotërve të pronës (sidomos në Bregdet): “Ke gjë të shkruar? Jo, është pronë e shtetit”. Dhe menjëherë i shkon mendja për të rrëmbyer ndonjë copë, në më të shumtat e rasteve në bashkëpunim.

Fatmirësisht, në kohën e Mbretit Zog, kur filloi një gjallërim i tregut dhe kryepleqtë mund të shkruanin e të firmosnin, një pjesë e pronarëve shekullorë të Karaburunit, që filluan ndonjë biznes apo transaksion, bënë që të arkivohen disa letra të shkruara. Pas kërkimesh sfilitëse nëpër arshiva e nëpër Gjykata tashmë disa pronarë të Karaburunit kanë një letër të shkruar nga shteti i tyre. Në këto letra, ku evidentohet kufiri i pronës, janë të shënuara dhe pronat e kufitarëve, kështu që vështirë se del tani ndonjë pjesë territori në Karaburun e lirë. Para një situate të tillë shtetarët dhe kryeshtetarët po luajnë një lojë tejet të fëlliqur. Të gjithë që kanë arritur të marrin një certifikatë për pronën e tyre shekullore kanë në fund shprehjen: “Për këtë pronë pronari do kompensohet”. Natyrisht, nuk shkruhet se kur, ku dhe si do kompensohet. Që të kompensohet, për shembull, pronari i Muzeut të Shkencave të Natyrës, i Universitetit të Tiranës, i stadiumit “Qemal Stafa”, i Kinostudios apo i pjesës së rrugës Durrës-Kukës, do të ishte normale nga shumëkush. Por që të kompensosh territorin e një gadishulli të tërë si Karaburuni nuk mund të gjendet një rast i ngjashëm në këtë planet. Imagjinoni për shembull që të kompensohen dukatasit me kullotë e pyll në Kala të Dodës apo në Ersekë, se në Himarë edhe mund të imagjinohej, por himarjotët e shkretë po duan t’i kompensojnë për vete.

Po pse ndodh ky fenomen i shëmtuar, antikombëtar? Ka vetëm një emër “grabitje shtetarësh”. Kur pyeten shtetarët se pse pronësia jepet vetëm me kushtin e kompensimit, thonë se “ka urdhër nga lart”. Dhe “trimat” e Dukatit vazhdojnë të enden e të enden dyerve të shtetarëve. Tani në Karaburun luhet në dy pista. Pista e parë është e ngjashme me Orikumin. Më konkretisht, një shembull. Fisi i Bodojve (rreth 60 pronarë), ka siguruar certifikatën për pronësinë e tij prej 503 ha në faqen lindore të Karaburunit me kufij të poshtëm vijën detare në plazhin e Shën Vasisë. Certifikata shprehet për kompensim të pronës. Nga vetë pronarët thuhet se për të marrë pronësinë e plotë u janë kërkuar nga sekserët 25 ha, përfshi plazhin e Shën Vasisë, gjë që është refuzuar prej tyre. Një ofertë tjetër më e hershme, kundrejt pjesës së sekserit, i është bërë Bodojve nga një prej ministrave të qeverisë Nano, i cili pat premtuar sjelljen e një investitori zviceran për turizëm.

Pista e dytë është ajo e investimeve të mëdha të huaja, dhe konkretisht investimi mbi 1 miliard euro për parkun eolik të Karaburunit prej një kompanie siciliane. Kjo duket më e lehtë për shtetarët, për arsye se pjesa mund të merret direkt në cash, pa u implikuar me dokumente të shkruara, si në rastin e Orikumit. Për më tepër, me këto afera të huaja shtetarët dalin edhe si revolucionarë, që po kryejnë revolucionin industrial në Shqipëri, siç ka shpallur kryeshtetari Sali Berisha. Duket kësaj piste po i mëshohet më fort tani, tek sheh se në kohën e fushatës zgjedhore, tinëz është marrë një vendim qeverie, sipas të cilit praktikisht i gjithë Karaburuni (duke përfshirë zonën buferike), i kalon koncesionarit sicilian për 1 euro. Pronarëve (atyre që kanë letrat), u mbeten letrat e kompensimit në sirtar, pronarët që nuk kanë letrat (edhe pse kanë 2000 vjet që jetojnë aty), nuk marrin dot as letrën e kompensimit. Se si do ndahen shtetarët kacavjerrës të Karaburunit me “trimat” e Dukatit kjo mbetet për t’u parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›