Shqipëria, vend me viktima, por pa fajtorëNga Denis DyrnjajaIncidenti që i ndodhi Mero Bazes nuk ishte i papritur, por një unazë më shumë në morinë e skandaleve publike që janë shënuar në këtë vend. Personalisht nuk kam ndonjë iluzion se do vendoset
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shqipëria, vend me viktima, por pa fajtorëNga Denis DyrnjajaIncidenti që i ndodhi Mero Bazes nuk ishte i papritur, por një unazë më shumë në morinë e skandaleve publike që janë shënuar në këtë vend. Personalisht nuk kam ndonjë iluzion se do vendoset drejtësi për këtë akt bastard, siç besoj se këtë gjë e ka të qartë, si viktima, ashtu dhe agresori. S’kam si të kem iluzion, kur ndër vite kam parë se si në Shqipëri kanë ndodhur bëma e gjëma nga më të pamendueshmet dhe pakkush u dënua, për të mos thënë askush. Dhunimi publik i këtij gazetari i bashkëngjitet një serie incidentesh e skandalesh, si tragjedia e Gërdecit apo vjedhja e Thesarit të Shtetit në Krrabë, djegia e redaksisë së gazetës “Koha Jonë” apo vrasja e një deputeti. Po të rendja pas shembujve, kushedi sa prej tyre syresh do të numëroja dhe të gjitha në fund i lidh një e përbashkët: drejtësia që hesht, sepse prova e fajtorë nuk ka. Po kurrë nuk do të ketë prova e do të vendoset drejtësi, përderisa xhepat e prokurorëve e gjykatësve do të mbajnë erën e rëndë të parave të pista, që vijnë nga duart e krimit. Mero Bazen nuk e rrahu Rezart Taçi e rojet e tij, por drejtësia e munguar, ajo drejtësi që çdo ditë me mosveprimin ose veprimin e saj të shtrembër “rreh a fshikullon” mijëra njerëz anonimë që kërkojnë të drejtën e s’e gjejnë dot dyerve të gjykatave. Meron nuk e dhunoi politika dhe qeverisja e korruptuar, por drejtësia që nuk heton korrupsionin shtetëror, që po rrënon e shkatërron institucione e vlera të demokracisë. Të gjitha janë të kuptueshme në një shtet pa drejtësi, në një shtet ku hajduti i thjeshtë dhe biznesmeni hajdut, ku vrasësi ordiner dhe politikani vrasës, kanë dorë të lirë të bëjnë ç’të duan, si, e me kë të duan, sepse e dinë se në fund do të dalin paq e pa u lagur. Çështja do të zgjidhet duke urdhëruar ose paguar prokurorin ose gjykatësin që të mbyllin sytë para provave, t’i zhdukin ose shtrembërojnë ato. Kjo është tabloja më e mjerueshme e një vendi që pretendon se është në demokraci. Çfarë paradoksi, demokraci pa drejtësi?! Turp për këdo që flet për prosperitet e integrim në këtë vend, ku ata që të dhunojnë fizikisht, të marrin pronën, që të shpërfytyrojnë jetën, i sheh si zotër të rrugës apo shtetit! Turp dhe për këdo që hesht apo kënaqet me këtë realitet! Një shpullë sot, nesër mund të jetë një plumb, nëse pranojmë sot shpullën, atëherë s’ka pse të mos presim nesër dhe vdekjen.