E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kaçi: Konferenca e IAIS në Tiranë, dëshmi e progresit të Shqipërisë në dialogun global të sigurimeve

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Në ditën e dytë të Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), drejtorja e Përgjithshme e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, përshëndeti pjesëmarrësit me një mesazh mirënjohjeje dhe vlerësimi për prezencën e tyre në Tiranë.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama marrin pjesë mbi 500 delegatë nga më shumë se 130 juridiksione, duke e vendosur Shqipërinë në vëmendjen e komunitetit global të sigurimeve.

Koçi theksoi se prania e Kryeministrit të Shqipërisë i jep ngjarjes një rëndësi të veçantë dhe konfirmon përkushtimin e vendit ndaj zhvillimit dhe forcimit të tregjeve financiare.

Ajo u ndal në rëndësinë e konferencës, e cila adreson temat kyçe të industrisë, si rreziku, qëndrueshmëria dhe përgjegjësia, duke e cilësuar organizimin e saj në Tiranë si një moment historik për AMF-në dhe një arritje profesionale me peshë.

“Ky aktivitet dëshmon progresin e Shqipërisë dhe lidhjen e saj me dialogun global të industrisë së sigurimeve mbi rrezikun, qëndrueshmërinë dhe përgjegjësinë”, tha Kaçi.

“Organizimi i kësaj konference në Tiranë është një burim krenarie për Autoritetin Mbikëqyrës Financiar të Shqipërisë, një nder thellësisht personal dhe një moment historik profesional për mua. Ai përfaqëson kulmin e angazhimit të qëndrueshëm, transformimit institucional dhe një partneriteti dhjetëvjeçar me IAIS, të ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, një udhëtim që kam pasur privilegjin ta ndaj me shumë prej jush”, u shpreh Koçi.

Drejtorja e AMF-së vlerësoi partneritetin dhjetëvjeçar me IAIS, të ndërtuar mbi besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.

Në mënyrë të veçantë, ajo shprehu mirënjohjen për udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të IAIS, Jonathan Dixon, duke e cilësuar kontributin e tij si të shkëlqyer dhe vendimtar për progresin e organizatës.

Kaçi Drejtoresha theksoi se sesionet e ditës së parë kanë hapur rrugën për diskutime të thelluara, shkëmbime konstruktive dhe një frymë bashkëpunimi midis mbikëqyrësve dhe industrisë. Sipas saj, dinamika pozitive vijon edhe gjatë ditës së dytë të konferencës.

Në përmbyllje, Koçi u shpreh se shpreson që pjesëmarrësit të kenë përjetuar mikpritjen dhe energjinë e gjallë të Tiranës, duke i falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›