E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Rritja ekonomike 3,6% në gjashtëmujorin e parë, borxhi publik në rënie

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me shefen e Misionit të FMN-së, Anke Weber, dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, njoftoi ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare dhe prioritetet fiskale për vitin 2026.

Malaj bëri të ditur se diskutimet me FMN për Kapitullin 4 të misionit kanë qenë intensive, duke nxjerrë përfundime të rëndësishme për politikat ekonomike dhe financiare të vendit.

Ai theksoi se reduktimi i borxhit publik mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, ndërsa projektbuxheti 2026 do të jetë strategjik, me fokus në mbështetjen e pensioneve dhe investimeve publike.

Referuar statistikave zyrtare Malaj bëri të ditur se: rritja ekonomike në gjashtëmujorin e parë arriti 3,6%, ndërsa për vitin 2025 parashikohet të arrijë në 3,9%. Konsumi privat është rritur me 3,3%, investimet totale me 4,1%, ndërsa projektet strategjike në infrastrukturë dhe energji vazhdojnë të gjenerojnë efekte pozitive.

Sipas tij, papunësia ka rënë në minimumin e saj prej 8,5%, punësimi vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe pagat po përmirësohen gradualisht në të gjithë sektorët. Inflacioni vazhdon të jetë i qëndrueshëm, në 2,2%, ndërsa turizmi vazhdon të jetë një prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë dhe motori kryesor i eksporteve totale, me të ardhura që janë rritur me 7,7% në gjysmën e parë të vitit.

Ministri bëri të ditur se, “Investimet e Huaja Direkte kanë shënuar rritje prej 7% në vitin 2024, duke vazhduar trendin pozitiv dhe rezervat valutore janë më të forta historikisht, me 6,7 miliardë euro deri në qershor 2025. Borxhi publik ka rënë në 54,2%, niveli më i ulët që nga viti 2008”.

Malaj thekoi se, “projektbuxheti për vitin 2026, dhe për periudhën 2026–2028 që po diskutohet tashmë në Kuvend, mbështet prioritete strategjike në: forcimin e mbrojtjes sociale – me fokus të veçantë pensionistët – me një impakt financiar prej 10,4 miliardë lekësh; rritjen e qëndrueshme ekonomike rreth 4% në vit; investime transformuese që arrijnë në 6,5% të PBB-së në 2026 dhe mbi 6% në vitet pasuese si dhe reduktim të vazhdueshëm të borxhit publik, nga 54,1% në fund të 2025-ës, në 53,6% në fund të 2026-ës”.

Ministri gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e rekomandimeve të FMN, të cilat ofrojnë udhërrëfyes për menaxhimin e sfidave ekonomike, dhe vlerësoi efikasitetin e institucioneve shqiptare në minimizimin e rreziqeve dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›