Kacin: Bojkoti i Tadiçit i pakuptimtë

Raportuesi i BE-së për Serbinë, Jelko Kacin, ka thënë se bojkoti i presidentit serb, Boris Tadiç në ngjarjet ndërkombëtare ku përfaqësohet edhe Kosova “nuk ka kuptim”.
Kacin i ka thënë gazetës beogradase “Danas”, në një intervistë që është publikuar të shtunën, se “nuk ka kuptim që të argumentohet nëse Polonia do ta ftojë apo jo dikë si mysafir”.
Ai gjithashtu ka thënë se “Serbia duhet patjetër ta kuptojë se marrëdhëniet e mira me Kosovën janë në interesin e Serbisë”.
Tadiç, javën e kaluar hoqi dorë nga pjesëmarrja në një samit në Varshavë, në të cilin mori pjesë edhe presidenti amerikan, Barak Obama, pasi edhe Kosova ishte e pranishme përmes presidentes së saj, Atifete Jahjaga.