E Diel, 1 Nëntor 2026

Kacin: Kosova është shtet, Beogradi t`i pranoj vulat

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kacin ka deklaruar se mospranimi i vulave të Kosovës nga ana e palës serbe i shtyn subjektet ekonomike në korrupsion dhe krim të organizuar. Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Kacin thekson se për eksportuesit serbë ka rëndësi që ekonomia dhe tregtia të zhvillohen dhe që pa probleme të eksportojnë në Kosovë dhe nuk i intereson se çfarë shkruhet në vulë.
“ Serbia ka deficit të madh tregtar dhe qeveria në Beograd duhet të punoj në zgjidhen e këtij problemi e jo në përkeqësimin që ka sjellë situatën që me Kosovën të bëhet luftë tregtare. Vulat i ka pranuar UNMIK-u, trupi i OKB-së dhe konflikti aktual është i parëndësishëm dhe kundër interesave të ekonomisë serbe, e mbi të gjitha interesave të serbëve që kanë mbetur në Kosovë, thekson Kacin.
Në pyetjen nëse Ëashingtoni dhe Brukseli janë të interesuar për ndarje të Kosovës, Kacin thotë se këto janë spekulime.
“Ndarja etnike është e papranuar. Krijimi i shteteve homogjene në Ballkanin perëndimor është që në start betejë e humbur e cila mund të sjellë dëme edhe vetë Serbisë” shton Kacin.
Kacin ka deklaruar gjithashtu se Serbia duhet të zhvilloj raporte miqësore me Prishtinën. Që kjo të bëhet, Serbia nuk duhet të frenoj integrimet rajonale dhe evropiane të Kosovës.
Në pyetjen nëse Kosova është shtet, Kacin përgjigjet shkurtë: “Kosova patjetër që është shtet”.

Ai thotë se integrimi i Serbisë do të bllokohet nëse vjen deri te ndërprerja e dialogut të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›