E Diel, 1 Nëntor 2026

Kacin: Ska kthim të regjimit të vizave për Ballkanin

Raportuesi special i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Jelko Kacin, u ka bërë thirrje mediave të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të raportojnë në mënyrë të saktë dhe besnike mbi procesin e miratimit të draftit të mekanizmit për kthimin e përkohshëm të regjimit të vizave për këto vende në PE.

Në deklaratën e Kacinit, e cila u është shpërndarë mediave nga zyra e tij, ai ka hedhur poshtë shkrimet në disa media në lidhje me këtë temë, duke thënë se thjeshtë nuk janë të sakta.

Sipas Kacinit, temë e shqyrtimit të së martës të mbledhjes plenare, në asnjë moment, nuk ka qenë kthimi i regjimit të vizave. Ajo për çka ne kemi diskutuar ka qenë miratimi i mekanizmit për kthimit të përkohshëm të vizave për vendet që nuk arrijnë të përballojnë problemet lidhur me implementimin e regjimit të udhëtimit pa viza. Natyrisht, kjo, para së gjithash, ka të bëjë me problemin e azilkërkuesve të rremë,ka theksuar Kacin.

Gjithashtu, shtoi Kacin, sipas draftit aktual, periudha kohore gjatë të cilës vendet anëtare mund ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm dhe të kërkojnë nga Komisioni kthimin e përkohshëm të regjimit të vizave do të skadojë 7 vjet pas momentit të heqjes së vizave.

Me fjalë të tjera, në qoftë se nuk ndodhin ndryshime dramatike deri në dhjetor të vitit 2016,regjimi i udhëtimit pa viza hyn në fuqi përgjithmonë për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, kurse një vit më vonë edhe për shtetasit e Bosnjës e Hercegovinës dhe të Shqipërisë.Ritheksoj se në qoftë se ndonjëri prej vendeve anëtare njëmend kërkon vendosjen e sërishme të vizave, Komisioni Evropian është institucioni që duhet ta vlerësojë arsyeshmërinë e kërkesës dhe të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj .Ndonëse situata nuk është dramatike, vetëkuptohet se qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë gjithë çfarë është në mundësitë e tyre që të ndalojnë valën e azilkërkuesve të rremë ka theksuar Kacin.

Parlamenti Evropian do ta thotë fjalën e vet mbi këtë draft të enjten, më 12 shtator. Votimi i sotëm nuk është shtyrë, siç kanë raportuar disa media, thuhet në deklaratën e Jelko Kacinit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›