E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaçiu provohet tek Aachen

Mesfushori kosovar, Bardhyl Kaçiu, është duke u provuar tek klubi gjerman, Alemannia Aachen. Futbollisti i Trepçës i është bashkuar klubit nga Bundesliga 2 gjermane të shtunën.

Këtë e ka bërë të ditur vet futbollisti kosovar të dielën mbrëma. “Jam duke u provuar tek një klub gjerman, quhet Aachen. Të shtunën e pata stërvitjen e parë me këtë klub, e cila shkoi mirë”, ka thënë fillimisht Kaçiu për Express.

Ish lojtari i Prishtinës ndihet në formë të mirë dhe i përgatitur sa duhet për ta kaluar provën e rëndësishme të quajtur Aachen.

“Shpresoj që të mbetem këtu, pasi kushtet janë mjaft të mira. Do të kemi sërish stërvitje, të shohim se si do të shkojë. Unë jam i përgatitur sa duhet dhe jam optimist. Këtu do të jem në prova edhe disa ditë, kur edhe do të dihet përfundimisht se a do të mbetem apo jo tek ky klub”, vazhdoi përfaqësuesi kosovar.

Ditë më parë spekulohej se Kaçiu ishte në prova edhe tek klubi tjetër gjerman, Tus Koblenz, por mesfushori kosovar e ka mohuar një gjë të tillë. Përpos Aachenit, para se të nisej për në Gjermani, ai kishte një alternativë tjetër – Duisburgun.

Nëse dështojnë këto mundësi, atëherë ai me siguri se do të rikthehet tek Trepça, ku e kaloi sezonin vjeshtor. Ai me “xehetarët” u bë kampion i vjeshtës.

Pas 18 xhirosh të zhvilluara, Aachen gjendet në pozitën e tetë në Bundesliga 2 gjermane me 26 pikë të tubuara, 5 më pak se pozita e tretë (Augsburg), e cila garanton inkuadrimin në Bundesliga 1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›