Kadiu: Detyrim për rehabilitimin mjedisor të zonave pas përfundimit të lejes minerare

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Projekligji për sektorin minerar parashikon se lejet e kërkim-zbulimit do të jepen me procedurë të hapur, si për zonat pa informacion gjeologjik, ashtu edhe për ato me të dhëna ekzistuese, por ku kërkohet studim më i hollësishëm.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu, deklaroi se ndryshimet synojnë nxitjen e veprimtarive minerare, veçanërisht për rezervat deficitare në rajon dhe BE.
Sipas tij, risi e këtij projektligji është edhe vendosja e afatit kohor për pezullimin e veprimtarisë minerare deri në 1 vit, në rast të problemeve të kompanive si dhe detyrimi për rehabilitimin mjedisor të zonave pas përfundimit të lejes, me një afat maksimal 18 muaj.
Ndërkohë që, vijoi ai, nëse zona braktiset, garancia e shfrytëzimit e vënë paraprakisht nga subjekti, kalon në favor të shtetit për rehabilitimin e zonës.
Ky projektligj synon të rrisë sigurinë, transparencën dhe përgjegjësinë në sektorin minerar, duke mbrojtur njëkohësisht mjedisin dhe interesin publik.
Kadiu vuri në dukje se gjithashtu parashikohet dhe krijimi i një regjistri digjital për pasuritë minerare, lejet e shfrytëzimit, kontratat, pronarët përfundimtarë të subjekteve minerare.
/e.xh/j.p/r.e/