Kaka-mania pushton Spanjën, shitet një bluzë e tij në çdo 10 sekondaNë dyqanin e Realit të Madridit u shitën 600 të tilla në vetëm dy orët e para. Në tërë Spanjën janë 2400 pika shitje, në botë do të ketë në Brazil e Japoni

Pas prezantimit zyrtar të fituesit të “Topit të artë’, Rikardo Kaka, me gjigantët spanjollë të Realit të Madridit, të martën në mbrëmje, bluzat e tij me numër 8-të u përpinë në kohë rekord nga tregu. “Në dyqanin zyrtar të klubit merengues shitet një bluzë e brazilianit në çdo dhjetë sekonda, 600 të tilla vetëm dy orë”, - shkruante gazeta e rëndësishme sportive “Marca”. “Bluza të tjera me emrin e Kakasë janë kërkuar nga 2400 pikat e shitjeve të dyqaneve sportive dhe jo vetëm në të gjithë Spanjën, dhe parashikohet edhe një “tregti e mirë” edhe jashtë vendit iberik, veçanërisht në Brazil, Itali dhe Japoni. Kaka u ble nga Milani për shumën e 67 milionë eurove. “Kaka është me ne, dëshirojmë të ndërtojmë një Real Madrid legjendar”, këto ishin fjalët e Florentino Perezit, presidentit të Realit të Madridi, ditën e prezantimit të Kakasë, para më shumë se 30 mijë tifozëve në stadiumin “Santiago Bernabeu”. “Ky stadium është konfirmuar prej kohësh si një prej më të mëdhenjve të historisë së futbollit botëror. Këtu Reali i Madridit ka ndërtuar legjendën e tij falë forcës dhe pasionit të tifozëve, që janë motori i ëndrrave sportive të kësaj skuadre. Për këtë arsye, ne duhet të punojmë e të impenjohemi për të krijuar skuadrën më të mirë të mundshme. Kishte oferta nga skuadra të tjera, por zgjodhi Realin e Madridit e jo për paratë. Mund të zgjidhte çfarëdo klubi tjetër, por ai vendosi të luajë me Realin e Madridit. Është një model në fushë dhe jashtë saj. Është shembulli i klasit, solidaritetit dhe elegancës”, - tha Perez, i cili çoi në “delir” tifozerinë e një prej klubeve më popullore në botë. Jam i lumtur të filloj një etapë të re të karrierës sime te Reali i Madridit. Dëshiroj të kem një vend në historinë e këtij klubi. Hala Madrid!”, -theksoi Kaka, që ka fituar menjëherë zemrat e tifozerisë madrilene. Blerja e fundit është ajo e sulmuesit Karim Benzema nga Olimpiku i Lionit. Klubi merengues do t’i paguajë 35 milionë euro klubit francez. Benzema do të jetë blerja e katërt e presidentit të ri të Realit, Florentino Perez, pas Kakasë, Kristiano Ronaldos dhe mbrojtësit spanjoll të Valencias, Raul Albiol.
Tri blerjet
e bujshme
Kristiano Ronaldo
94 milionë euro
Rikardo Kaka
67 milionë euro
Karim Benzema
35 milionë euro
Platini: “Anormale shpenzimet e Realit”
“Është diçka anormale, që më jep bezdi. Nuk kuptoj se si mund të shpenzojnë 90 milionë euro për një lojtar”. Ky ishte vlerësimi i presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, i pohuar në gazetën e madhe franceze “L’Equipe”, në lidhje me blerjet e tepër të shtrenjta të Realit të Madridit, veçanërisht ajo e portugezit Kristiano Ronaldo, ky i fundit u ble nga Reali në shumën prej 94 milionë eurosh, shuma më e madhe e paguar ndonjëherë në histori për një futbollist. “Klubet që realizojnë këto goditja i kanë me të vërtetë paratë për ta bërë? Është kjo filozofia”, - tha Platini. Ish-fantazisti i Juventusit bëri të ditur se UEFA është duke punuar për të përmirësuar, atë që francezi e quajti “fair-play” financiar. “Do të bëjmë patjetër diçka, jemi duke punuar”. Platini ka në plan që brenda 2-3 vjetësh do të vendosë një sistem kontrolli të regjimit financiar të klubeve që do të marrin pjesë në kupat evropiane. Nga ana tjetër, do të ketë edhe një “çati” në lidhje me pagat e lojtarëve dhe atyre të shpenzimeve, të cilat duhet të jenë në proporcion me të ardhurat e përgjithshme. Në fund të muajit gusht, masat e reja të moralizimit financiar do të shqyrtohen nga Komiteti Strategjik i UEFA-s, që përfshin edhe çështjet e ligjeve kombëtare të çdo vendi, klubet dhe përfaqësuesit e lojtarëve.
Barça, 40 milionë euro për David Vijën
Barcelona është duke e kërkuar me çdo kusht David Vijën dhe i bëri një “ofertë skandaloze” Valencias: 40 milionë euro, plus një ose dy lojtarë në “pjatën e ofertës”. Lajmi u dha nga gazeta spanjolle “Marca”. Presidenti blaugranas, Hoan Laporta, vendosi të ngrejë ofertën për bomberin e Kombëtares spanjolle, për të cilin padroni i Valencias, Lorente, kishte deklaruar se vetëm një “ofertë skandaloze” mund ta detyronte atë ta shiste lojtarin. Përveç 40 milionë eurove Barcelona i shton “faturës” edhe një ose dy lojtarë, Keirrisonin dhe ose Katheres. Për Vijën është gati një kontratë prej 5 vjetësh dhe 7.5 milionë euro në sezon.
Milan-Luis Fabiano, gati “martesa”
Milani është i interesuar seriozisht për Luis Fabianon. Përfaqësuesi ligjor i klubit kuqezi, Leandro Kantamesa, tha se operacioni është në një pikë të mirë. Braziliani, 28 vjeç, dëshmoi në Kupën e fundit të Konfederatave, dhuntitë e tij si një bomber race, e që për më tepër gëzon edhe statusin e një komunitari evropian. Sipas medieve britanike, Galiani mund t’i bëjë llogaritë edhe me pranimin e një ofertë deri në shumën 45 milionë euro e Çelsit për të “pashijshmin” Pato, ky i fundit kërkohet në Londër nga trajneri italian i bluve, Karlo Ançeloti.
Vieria në shënjestrën e Birmingamit
Mesfushori i Interit dhe i Kombëtares franceze, Patrik Viera, është në shënjestrën e Birmingamit. Oferta për angazhimin e lojtarit 33-vjeçar do të jetë 100 mijë sterlina në javë, rreth 6 milionë euro në sezon. I lindur në Senegal, në një komunitet me origjinë nga Bregu i Fildishtë, Vieira, pasi luajti në skuadra të ndryshme franceze, në vitin 1995 u bashkua me Milanin, më pas tek Arsenali, vazhdoi me Juventusin dhe tani tek Interi.
Ronaldo fiton Kupën e Brazilit
Korinthians fitoi Kupën e Brazilit, pasi barazoi 2-2 në fushën e Internacionalit në Porto Alegre. Ndeshja e parë kishte fituar 2-0. Ishte një ndeshje mjaft e fortë, me një nga karton të kuq për çdo skuadër, por dhe e shoqëruar me largimin e dy trajnerëve. Për Ronaldon bëhet fjalë për trofeun e dytë, qysh kur është rikthyer në Brazil, pas suksesit në kampionatin paulist. Për Korinthiansin kjo ishte hera e tretë që Korinthians fiton Kupën e Brazilit, më parë kishte ndodhur në vitin 1995 dhe në 2002.
E Premte, 03 Korrik 2009