E Martë, 3 Nëntor 2026

Kalaja ”Rozafa”, vizitorë nga 25 shtete, këtë vit mbi 17 mijë vizitorë më shumë se vjet

Njëri nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, kalaja “Rozafa” vijon të njohë rritje të numrit të vizitorëve. Ata vijnë nga Italia, Holanda, Gjermania, Republika Çeke, Arabia dhe Azia.

Bazuar në statistikat e publikuara nga DRTK Shkodër kalaja “Rozafa” është vizituar këtë vit nga 86 301 vizitorë ose 17 433 vizitorë më shumë se vitin e kaluar duke e kthyer atë në sitin e dytë më të vizituar në vend pas kalasë së Gjirokastrës.

Drejtuesja e DRTK Shkodër Besara Podgorica në një komunikim për mediat rendit arsyet e këtij fluksi.

“Kjo jo vetëm për sa i takon historisë por edhe për pamjen e bukur që të ofron monumenti por edhe për një prezantim të qytetit të Shkodrës që fillon me kalanë  e Rozafës” tha Drejtuesja e DRTK Shkodër Besara Podgorica.

Megjithatë rritja e vizitorëve në kalanë “Rozafa” duket se dikton nevojën e krijimit të hapësirave më të mëdha për parkim.

“ Kalaja Rozafa pjesën me problematike ka shtimin e hapësirës për parkingje e cila tashmë është e pamjaftueshme pasi vizitohet nga rreth 800 turistë në ditë” tha Besara Podgorica.

Kalaja “Rozafa” është monumenti historik më antik i qytetit të Shkodrës ku në muret rrethuese të saj përfshihen ndërtimet e katër periudhave: Balshajt, zotërimi venecian, pushtimi osman dhe ajo e Bushatlinjve. Kjo kala përbën një nga objektet kryesore turistike të qytetit.

Gazetar M. Gjini

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›