Turizmi në Korçë/ Kërkesa të shumta edhe gjatë muajit shtator

Ky sezon veror ka qenë i suksesshëm në Korçë duke sjellë një numër të lartë turistësh veçanërisht të huaj.
Por duket se sezoni nuk përfundon, pasi edhe muaji Shtator do të mikpresë shumë vizitorë, veçanërisht ata që pas plazhit zgjedhin të kalojnë fundjavat e tyre në Korçë.
“Kemi ardhur për pushime ditore. Një ditë ishim në Voskopojë. Sot erdhëm në Korçë,” thotë një qytetare nga Tirana.
“Na pëlqen si qyteti. Është i bukur. Njerëzit janë me kulturë,” shprehet një tjetër turist.
Sipas operatorëve turistikë, fluksi i turistëve për këtë sezon veror ka qenë pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ndërkohë që edhe shtatori shihet si një muaj i mbarë për turizmin, ku hotelet kanë të rezervuar rreth 90% të kapacitetit të tyre.
Grupet e huaja janë të organizuar me guidat përkatëse. Ata janë të interesuar të vizitojnë kryesisht të gjitha muzetë e Korçës, duke nisur me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Muzeun Kombëtar të Arsimit, e duke mos lënë mënjanë Dardhën dhe Voskopojën, të cilat vazhdojnë të mbeten dy nga fshatrat turistike më të vizituara nga turistët e huaj.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh.al/